E Hënë, 2 Nëntor 2026

Maignan, brenda apo jashtë Milanit

Sezoni me ulje ngritje i portierit të Milanit, i ka ndryshuar pozicionet e negocitave për një rinovim të kontratës me një pagë më të lartë. Klubi kuqezi i ka bërë një ofertë të re dhe përfundimtare francezit, nga e cila Majk do të fitonte vetëm një milion shtesë. Më herët ai kishte kërkuar një pagë të lartë sa Leao.

Kush është në të vërtetë Mike Maignan? Shqiponja Magjike, që fluturon nga një shtyllë në tjetrën kundër Fiorentinës? Apo ai që rrëzoi Isaksen në zonë dhe shkatërroi iluzionin e rikthimit të kuqezinjve ndaj Lazios? Në ndeshjet e fundit ka edhe të tjera që na bëjnë të mendojmë se ai është rikthyer në të qenit i mrekullueshëm: penalltitë e pritura me Francën në ndeshjen kundër Kroacisë, ndërhyrjet ndaj Kean, Beltran dhe Gudmundsson për të mbajtur ritmin kundër Fiorentinës.

Pra, mbetet e vështirë të jepet një përgjigje e saktë. E në këtë fazë të pasigurisë teknike janë zhvilluar edhe negociatat për rinovimin e kontratës së francezit, që skadon në qershor 2026. Një marrëveshje bazë ishte gjetur muajt e fundit, përpara një zinxhiri gabimesh: ndaj Cagliarit, Como, Juventus në kampionat, pa përmendur hallkën më të dobët, pra, paraqitjen ndaj Feyenoord që komprometoi rrugën e Champions League.

Kur ishte në kulmin e tij, Majk kishte kërkuar të njëjtën kontratë si Leao, po nuk iu plotësua. Majk më vonë i zvogëloi pretendimet e tij. Sot, kur rolet janë përmbysur propozimi për zgjatjen e kontratës nuk i kalon 4.5 milionë në sezon, ndërkohë që paga aktuale është 3.5. Kjo është përfundimtare, merre ose lëre.

Te Milani për katër sezone, tani Maignan është në mesin e kritikave së bashku me senatorët e tjerë (Theo, Leao, Tomori) fajtorë për një sezon nën nivel. Por ka ende kohë, sidomos me rinovimin, për t’u rikthyer në sezonin e titullit kampion, apo gjysmëfinalen e Champions League, atëherë kur  ai nuk ishte vetëm Majk, por Magic Majk.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›