Majlinda Cara, gruaja e hekurt e Kurbinit!

Që prej vitit 2019, dita e Majlinda Carës fillon herët në mëngjes dhe mbyllet shumë vonë pasdite.
Fillimisht, ajo përgatit dy vajzat për në shkollë dhe niset për në punë ku e presin detyrat e ditës: takime në terren dhe në zyrë, inspektime punimesh dhe zgjidhje të problemeve të komunitetit.
Majlinda Cara është qytetarja e parë e Kurbinit dhe ndonëse në moshë të re – vetëm 40 vjeç – sapo ka siguruar mandatin e dytë si kryetare e Bashkisë së Kurbinit. Nuk ka qenë e lehtë për të mbërritur deri këtu.
“Për dikë që nuk jeton në Kurbin apo që nuk e njeh nga afër zonën, duket pak e çuditshme se si një grua të drejtojë bashkinë dhe aq më tepër një grua që përfaqëson Partinë Socialiste,” tregon Majlinda. Kurbini njihet si zonë tradicionale e djathtë.
“Kurbinasit janë njerëz me virtyte të jashtëzakonshme, ndër to edhe mençuria e vlerësimi për njerëzit e përkushtuar për punën dhe zhvillimin. Në 2019 m’u dha për herë të parë mundësia të kandidoj për kreun e bashkisë dhe për 4 vite shërbeva në këtë pozicion duke kaluar situata nga më jashtëzakonshmet që një komunitet mund të kalojë për një periudhë kaq të shkurtër, si tërmeti dhe pandemia. Angazhimi, puna, përkushtimi dhe padyshim edhe mbështetja e madhe e qeverisë shqiptare, bënë që jo vetëm t’i kalojmë me sukses sfidat që na ranë, por të kryejmë punë të cilat nuk ishin kryer në 30 vite të marra së bashku. Sot në Laç kemi praktikisht një qytet të ri. Në rikandidimin tim para disa muajsh, besoj se bashkëqytetarët e mi ditën të vlerësojnë punën kolosale të bërë gjatë 4 viteve ku shërbeva si kryebashkiake. Më besuan mandatin e dytë për të përfunduar punët e nisura, por edhe për të vijuar më tej me projekte të reja zhvillimore në fusha të ndryshme. Kësaj radhe kurbinasit nuk panë se kush është i majtë apo i djathtë, me PS apo me PD, por votuan duke menduar se ne këtu na duhet një njeri që mban fjalën e punon pa pushim, për të përmbushur gjithë zotimet që ka dhënë para bashkëqytetarëve të saj,” thekson znj. Cara.
Edhe pse me një karrierë relativisht të gjatë në politikë, Majlinda pranon se të merresh me këtë fushë është mjaft e vështirë, sidomos kur ekziston stigma se “politika është vetëm për burra”.
“Ka qenë dhe mbetet akoma e vështirë për një grua të merret me politikë në Shqipëri. Jo vetëm këtu në Kurbin, por pothuajse kudo. Deri para pak vitesh politika shihej si një gjë që u përket burrave dhe se vetëm ata mund të ecnin përpara në këtë fushë. Një perceptim i gabuar që ndoshta akoma vazhdon të jetë i pranishëm, por që po venitet dalëngadalë. Eksperienca e fituar përgjatë viteve në funksione të ndryshme pune më bëri të kuptoj se politika nuk është një mision i pamundur për vajzat dhe gratë. Përkundrazi, puna, përkushtimi e profesionalizmi i çdo gruaje janë asete që duhen ‘shfrytëzuar’ në funksion të zhvillimit tërësor në çdo fushë ku ato janë të angazhuara,” pohon ajo.
Vendimi për t’u marrë me politikë nuk ka qenë i menjëhershëm për Majlindën. Angazhimet e para fillojnë që në vitin 2008, para 15 vitesh, me pjesëmarrjen aktive në dy prej forumeve më të rëndësishme të Partisë Socialiste së Shqipërisë, në Forumin Rinor Eurosocialist (FRESSH) dhe, më pas, në Forumin e Gruas Socialiste (FGS). Fillimisht, u angazhua si aktiviste dhe anëtare e thjeshtë e këtyre forumeve dhe, më pas, edhe si drejtuese e FGS Kurbin. Në vitet 2019 dhe 2023, me propozim të strukturave të PS Kurbin dhe miratim të kryesisë së PSSH, kandidoi dhe rikandidoi për kryetare bashkie.
“Gjatë këtyre viteve kam kuptuar se, megjithëse është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, me shumë sfida e të papritura, nuk është aspak e pamundur që një grua të merret me politikë, qoftë edhe në vende të vogla, dhe pse jo, duke lënë mënjanë modestinë, të jetë edhe më e suksesshme se burrat,” shprehet kryebashkiakja.
Ndër sfidat e të qenit grua në vendimmarrje, Majlinda rendit sfidën “e përjetshme” të menaxhimit të kohës mes punës dhe familjes. Pranon që është tejet e vështirë, por përpiqet që të ketë një ndarje të drejtë mes të dyjave, të paktën në gjykimin e saj.
“Për çdo grua dhe nënë, angazhimi në poste drejtuese mbetet një sfidë e madhe, sepse të duhet të gjesh një të mesme të artë mes punës, rritjes profesionale dhe angazhimeve të shumta nga njëra anë, dhe familjes nga ana tjetër. Edhe për mua nuk ka qenë e lehtë në këto vite që drejtoj bashkinë që të koordinoj kohën mes punës dhe familjes. Sigurisht i kam lënë diçka mangët familjes, pasi orët e zgjatura të punës nuk ta japin mundësinë që të jesh shumë pranë familjes. Për një grua, për të cilën familja ka dyfish nevojë pasi dora e saj duhet te jetë e pranishme dhe të ndihet në çdo punë apo angazhim familjar, është dyfish më e vështirë se sa për një burrë të angazhuar në politikë,” thekson Majlinda.
Muaji i fushatës zyrtare zgjedhore dhe koha para saj janë tepër intensive, duke mos lënë kohë të mjaftueshme për fëmijët. Megjithatë Majlinda e sheh këtë si pjesë të kostos për të qenë politikane dhe t’i shërbesh komunitetit ku jeton.
“Periudha e fushatave zgjedhore është më e vështira për sa i përket koordinimit dhe ndarjes së kohës, pasi përveç punëve të përditshme, takimet në terren janë të shumta dhe oraret tepër të zgjatura. Praktikisht ka pasur ditë gjatë fushatave zgjedhore që fëmijët i kam lënë në gjumë herët në mëngjes dhe i kam gjetur në gjumë kur jam kthyer në orët e vona të mbrëmjes.
Padyshim që kjo më bën të ndjehem në borxh ndaj tyre dhe kjo është ndër kostot që politika të jep, sidomos për një grua e aq më tepër për një nënë. Jam munduar që mungesat në familje gjatë periudhave të ngarkuara të fushatave t’i zëvendësoj me ndonjë ditë pushimi, kryesisht gjatë fundjavave, të cilat mundohem t’i kaloj gjithmonë me familjen e t’u kushtoj më tepër kohë dy vajzave,” nënvizon ajo.
Politika për Majlindën është një instrument, nëpërmjet të cilit e pamundura bëhet e mundur.
“Jo vetëm në optikën e një gruaje, politika duhet të konsiderohet si mjeti apo mënyra nëpërmjet së cilës mund të bëjmë të mundur atë që duket më e pamundura, të ndryshojmë të tashmen dhe të projektojmë të ardhmen. Një njeri i angazhuar nuk mund të jetë assesi vetëm zëri i tij/saj, por përfaqëson shumë më tepër. Politika kërkon vendosmëri për të përballuar me përkushtim sfidat e vështirësitë që ajo të ofron gjatë rrugëtimit me të dhe gratë e kanë këtë cilësi,” shprehet kryebashkiakja.
Dita e punës së Majlindës ndahet në dy pjesë, në punën në zyre dhe atë në terren. Një ditë normale pune nis herët me takime të shkurtra me stafin dhe bashkëpunëtorë në bashki, vijon me takime me qytetarë dhe përfundon me inspektime në terren të punëve apo të kantiereve të hapura. Natyrisht, koha dhe dita kalon shpejt dhe duhet një koordinim i mirë i punëve dhe një ndarje e qartë e detyrave që të arrish të merresh me çdo pikë të agjendës paraprake, por edhe të ngjarjeve të paparashikuara që mund të kesh gjatë një dite pune.
“Le të themi që një ditë pune nis në 8 të mëngjesit, por nuk dihet fiks se kur përfundon, pra mund të shkojë edhe deri në orët e vona të pasdites apo mbrëmjes,” u shpreh Majlinda.
Për sa i takon rolit të gruas në politikëbërje, Majlinda mendon se duhet të jetë më i madh. Sipas saj, gratë jo vetëm ia dalin në politikën e madhe, por arrijnë të sigurojnë edhe pozicione drejtuese.
“Është koha që pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në politikë të mos shohim ngushtësisht në përfaqësimin e numrave, pra duke qenë të barabartë në numër me burrat, por duhet ta shohim si ofrim idesh, mendësish dhe mënyrash drejt ecjes përpara dhe jam shumë e sigurt që gratë e vajzat kanë shumë për të dhënë në këtë aspekt,” përfundon ajo.
Gazetar: Marjus Merhori
/rtsh.al/