E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Majori i FA u kap me drogë në Holandë, Bardhi: Çfarë ka bërë ministria e SHIU? Ministria e Mbrojtjes: Po ndiqen hapat ligjorë

Hetimi i majorit shqiptar Ermal Dinoshi nga autoritetet në Holandë pasi u kap në një shtëpi bari gjatë kohës që ishte atje me një mision të NATO-s është kthyer në çështje debatesh mes opozitës dhe mazhorancës në Komisionin e Ligjeve ku është për diskutim projektligji për disa ndryshime në ligjin “Policinë Ushtarake”.

Deputeti i PD, Gazment Bardhi tha se ky rast tregoi që Shërbimi Informativ Ushtarak, Ministria e Mbrojtjes dhe Policia Ushtarake nuk funksionojnë pasi të tilla ngjarje duhen parandaluar dhe se personave të tillë nuk u duhet dhënë akses në Forcat e Armatosura. Deputeti Bardhi kërkon të dijë se  çfarë hapash ka ndërmarrë për këtë rast Ministria e Mbrojtjes, por nga ana e saj mazhoranca tha se çështja nuk kishte lidhje me rendin e ditës

Zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici shprehet se për rastin janë marrë të gjitha hapat ligjor dhe se përgjegjësia ishte personale.

Diskutimet në Komisionin e Ligjeve

Gazment Bardhi: Një oficer i ushtrisë shqiptare që është atashuar pranë operacionit të NATO në Holandë, që veç detyrës së tij si ushtarak, pasi mbaronte punën e hiqte veshjen ushtarake ishte angazhuar në trafikim të lëndëve narkotike. Pra kemi çuar në bazë të lartë të NATO, një ushtarak të lartë, të arrestuar në Holandë për trafik droge. Ka patur një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes, që në fakt nuk sqaronte asgjë, vetëm se i kishte bërë thirrje ushtarakut të kthehet në atdhe. Ishte administrator ai i shtëpisë së barit në Holandë. Dua të di cilat ishin veprimet e policisë ushtarake? A ka patur Ministria informacion mbi veprimtarinë kriminale të ushtarakut? Çfarë veprimesh ka kryer SHIU, a keni informacione për zyrtarë të tjerë të përfshirë në veprimtari të tillë? Si apo sa ndikon kjo çështje në raportet me NATO? A është cenuar siguria e shtetit shqiptarë?

Kotilda Bushka: Sillni lajm gazetash pa lexuar. Qasja se si reagohet ndaj veprimeve të gabuara është ajo që gjykohet. Cila është lidhja me projektligjin që po shqyrtojmë sot?

Dallëndyshe Bici: Forcat e Armatosura, në respekt të uniformës s’mund të identifikohen më këtë rast. Do ndiqen hapat ligjor. Përgjegjësia individuale.

Gazment Bardhi: Në fakt nuk është përgjegjësi personale por dështim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Informativ Ushtarak se për këtë paguhen këta dhe këtë të përgjegjësisë personale lërjani dikujt tjetër. E mbani mend atë rastin kur ushtaraku në detyrë transportonte drogë me helikopterin e ushtrisë dhe u zbulua kur iu prish helikopteri. Ministria duhet të kryejë hetime pro aktive që të mos çojmë këta ushtarakë që ruajnë shtëpi bari në bazat e NATO-s. Ka dështuar Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, policia ushtarake dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë.

Klotilda Bushka: S’kemi pse diskutojmë çështje që si përkasin rendit të ditës.

Pandeli Majko: Zoti Gazi i shërben atij brezi që nuk e ka shërbyer ligjin e detyrimit ushtarak ndaj nuk e njeh mirë strukturën. S’kemi të bëjmë me ngjarje që prek të gjitha strukturat e ushtrisë.

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›