E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina përfshihet nga flakët në Kardhiq-Delvinë, plagoset rëndë drejtuesi

Një 37-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi automjeti me të cilin po udhëtonte është përfshirë nga flakët në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë. Ngjarja ndodhi pas mesnate, në vendin e quajtur “Skërficë”.

Sipas të dhënave paraprake, automjeti tip “Volkswagen Touran”, me drejtues Maridon Dhulin, 37 vjeç, banues në fshatin Fterrë, Bashkia Himarë, ka marrë flakë në ecje.

Si pasojë e zjarrit, drejtuesi ka pësuar djegie të rënda të shkallës së tretë. Shoferit i kanë ardhur fillimisht në ndihmë kalimtarë të rastit, madje njëri prej tyre një qytetar nga Saranda, Sokol Ahmetaj, i cili vinte nga Tirana, ka arritur të shuajë flakët në trupin e 37-vjeçarit duke i hedhur xhupin e vet, njëherazi njoftoi spitalin dhe shërbimet e qarkullimit rrugor.

Pas marrjes së ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës, 37-vjeçari është transportuar me ambulancë drejt Tiranës, për të marrë trajtim mjekësor më të specializuar, për shkak të djegieve të rënda.

Për shuarjen e flakëve në automjet është dashur ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës.

Ndërkohë, Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›