E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Maks Velo dëshmon diktaturën” – Ekspozohet dosja hetimore në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të artistit dhe arkitektit

Në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të artistit dhe arkitektit Maks Velo, në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Shtëpitë-studio Kadare–Agolli kanë ekspozuar dokumentacionin e krijuar nga ish-Sigurimi i Shtetit për të.

“Nuk ka nevojë që ne t’i bëjmë drejtësi publike, sepse ai duhet të ketv shkuar i qetë, sepse vendosi me një lloj force të jashtëzakonshme të brendshme, që drejtësinë publike kundër asaj që i kishin bërë gjithë jetën atij ta bënte po vetë. Ai e deklasifikoi vetë dosjen e tij, ai vendosi vetë ta botonte. Ai vendosi vetë që çdokënd që kishte thënë një fjalë kundër tij ta publikonte po vetë,” tregoi Anisa Ymeri, drejtore e Shtëpive-Studio Kadare–Agolli.

“Në këtë 5-vjetor të ndarjes nga jeta të artistit, Autoriteti, si bashkëpunëtor në këtë ekspozitë, ka vendosur që disa dokumente nga dosja e përndjekjes, hetimit dhe dënimit të Maks Velos të vihet në dispozicion të Shtëpisë-Studio Kadare–Agolli për qëllime ekspozimi,” tha Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit të Dosjeve.

Maks Velo, artisti origjinal dhe shpirti rebel, u dënua për “agjitacion e propagandë”, duke e vuajtur dënimin me punë të rëndë në minierën e Spaçit. Për gati 30 vite ai mbeti aktiv në jetën publike të kryeqytetit me botime, projekte dhe nisma të reja. Në vitin 2018, ai tërhoqi dosjen e tij dhe ndërmori hapin e guximshëm për ta botuar, duke denoncuar mekanizmat e sistemit që shënjestronin artistët dhe shtypnin individualitetin në diktaturë.

Arkitekti dhe piktori i njohur është gjithashtu projektuesi i ndërtesës “Pallati me Kuba”, ku ndodhet edhe studioja e shkrimtarëve të njohur. Ky projekt u përfshi si element në procesin gjyqësor dhe ndikoi në vendimin për dënimin e tij. Në këtë përvjetor janë ekspozuar imazhe të rralla të pikturave dhe figurinave të sekuestruara dhe të djegura.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›