E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Ekonomia shqiptare rritet me 3.9% në vitin 2025, papunësia zbriti në 8,1%, niveli më i ulët historik në 30 vite

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Ministri i Financave Petrit Malaj prezantoi rezultatet ekonomike dhe fiskale të vitit 2025, duke i cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit ekonomik të vendit.

Malaj theksoi se rritja ekonomike për vitin 2025 arriti në 3.9%, ndërsa projeksioni afatmesëm është 4%, më i lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor prej 3%. Në pesë vitet e fundit, PBB e Shqipërisë është rritur me 20%, duke e vendosur vendin në krye të rajonit për stabilitet ekonomik.

Një tjetër arritje e rëndësishme është ulja e papunësisë në nivelin historik prej 8.1%, nga 17% që ishte një dekadë më parë, si dhe rritja e pagave.

Paga mesatare në sektorin publik arriti në 1,026 euro, ndërsa në sektorin privat 785 euro. Për vitin 2026, qeveria ka nisur indeksimin e pagave në administratën publike dhe ka rritur pagën minimale në 50 mijë lekë.

“Në pesë vitet e fundit, PBB e ekonomisë shqiptare është rritur me rreth 20%, shifër që, sipas ministrit, është ndër më të lartat në rajon dhe dëshmon qëndrueshmërinë e ekonomisë”, shtoi Malaj.

Borxhi publik u ul në 53% të PBB-së, ndërsa Investimet e Huaja Direkte arritën në 1.21 miliardë euro për 9-mujorin e vitit 2025, niveli më i lartë historik. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën në 6.7 miliardë euro, me një shtesë prej 560 milionë euro krahasuar me vitin 2024.

Përmes buxhetit 2026 vijoi politika e rritjes së pagave, duke e çuar pagën minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë në shkallë vendi. Për herë të parë ka nisur edhe zbatimi i skemës së indeksimit të pagave në sektorin publik, me synim forcimin e fuqisë blerëse”, shpjegoi Malaj.

Malaj përmendi disa arritje të veçanta për vitin 2025, si emetimi i suksesshëm i Eurobondit prej 650 milionë euro, krijimi i shoqërisë shtetërore “Albtrace”, themelimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit dhe miratimi i garancisë sovrane për bujqësinë.

Duke iu referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Malaj informoi se investimet e huaja direkte për 9-mujorin 2025 arritën në 1.2 miliardë euro, niveli më i lartë historik për këtë periudhë, me rritje prej 51 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

“Gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria ka përthithur nivel më të lartë të investimeve të huaja direkte në raport me PBB-në, krahasuar edhe me mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Malaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›