E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Strategjia afatmesme e borxhit, fokus te huamarrja me kosto të ulët

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj bëri të ditur se Strategjia Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2026-2030, e miratuar tashmë nga qeveria, ka si objektiv kryesor garantimin e huamarrjes me kosto sa më të ulët.

Përmes Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit 2026-2030, synohet nxitja e zhvillimit efikas të tregut të titujve shtetërorë.

Sipas ministrit Malaj, prioritetet e kësaj strategjie përfshijnë: Rritjen e jetëgjatësisë së borxhit, veçanërisht atij të brendshëm; Uljen e mëtejshme të ekspozimit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit dhe Menaxhimin e qëndrueshëm të borxhit publik.

Malaj tha se, strategjia synon të forcojë stabilitetin financiar dhe të përmirësojë menaxhimin e borxhit në të ardhmen e afërt.

Borxhi publik i Shqipërisë pritet të ndjekë një trajektore rënëse gjatë vitit 2026, duke zbritur në rreth 53,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sipas buxhetit të vitit 2026, miratuar nga Qeveria dhe më pas nga Parlamenti.

Ministria e Financave parashikon që borxhi publik të jetë 54,1% në fund të vitit 2025.

Në aspektin e huamarrjes, qeveria parashikon të sigurojë 45 miliardë lekë në tregun e brendshëm, kryesisht përmes titujve afatgjatë të borxhit, duke synuar të ulë risqet dhe njëkohësisht të përmbushë preferencat e investitorëve vendas.

Në tregun e jashtëm, huamarrja e re do të orientohet drejt financimit të projekteve prioritare dhe mbështetjeve buxhetore, me një vlerë totale prej rreth 47 miliardë lekësh, ndërsa huamarrja neto do të qëndrojë në rreth 10,3 miliardë lekë pas përfshirjes së ripagimeve.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›