E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Të ardhurat nga rivlerësimi i pasurive arritën 5 miliardë lekë, procesi sipas parashikimeve

TIRANË, 28 korrik /ATSH/  Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme po vijon me ecuri shumë të mirë, ndërsa interesi i qytetarëve për të përfituar nga kjo skemë mbetet i lartë, deklaroi ministri i Financave, Petrit Malaj.

Gjatë një deklarate për mediet, Malaj bëri të ditur se të ardhurat e realizuara nga ky proces në katër muajt e parë të vitit 2026 kanë arritur nivelin e të gjithë vitit 2022 kur u krye së fundi ky proces.

“Në katër muajt e parë të vitit 2026 kemi realizuar të ardhura nga rivlerësimi i pasurive në të njëjtën vlerë sa gjatë gjithë vitit 2022. Kjo tregon se procesi po ecën në rrugën e duhur dhe nuk ka asnjë ngecje”, u shpreh ministri.

“Të ardhurat nga procesi i rivlerësimit kanë arritur në rreth 5 miliardë lekë ose 50 milionë euro. Kjo është pothuajse e njëjta shifër me atë të procesit të fundit të rivlerësimit në vitin 2022, kur u realizuan 5,6 miliardë lekë. Presim që deri më 31 dhjetor 2026 të ardhurat nga ky proces të jenë më të larta se ato të vitit 2022”, tha Malaj.

I pyetur për publikimin e çmimeve të referencës për pasuritë në 61 bashkitë e vendit, ministri bëri të ditur se është ngritur një grup pune ndërinstitucional për përfundimin e këtij procesi.

“Është ngritur një grup pune ndërinstitucional që do ta përmbyllë këtë proces, në mënyrë që të mos ketë kontestime për çmimet e reja të referencës, të cilat do të përcaktohen për të gjithë Shqipërinë”, tha ai.

Malaj sqaroi se procesi i rivlerësimit të pasurive nuk pengohet nga miratimi i çmimeve të reja të referencës.

“Çmimet e referencës nuk e pengojnë procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, pasi ky është një proces që kryhet nga rivlerësues privatë dhe jo domosdoshmërisht nga grupet e punës”, deklaroi ministri i Financave.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›