E Martë, 3 Nëntor 2026

Malaj: Të ardhurat për 7 mujorin e parë të 2024, 8.2% më të larta se një vit më parë

Të ardhurat për 7 mujorin e parë të këtij viti janë 8.2% më të larta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kështu bën me dije Ministri i Financave, Petrit Malaj i cili shkruan se të ardhurat totale për këtë periudhë u realizuan në masën 402,51 miliardë lekë.

“Gjatë periudhës 7-mujore të këtij viti ka vijuar ecuria pozitive në mbledhjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Të ardhurat totale për 7-mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 402,51 miliardë lekë (rreth 4,04 miliardë euro) që nënkupton një rritje prej 8.2 % krahasuar me një vit më parë, ose 30,4 miliardë lekë (rreth 305 milionë euro). Në krahasim me planin e së njëjtës periudhë të ardhurat u realizuan me 103%”, shkruan Ministri.

Sa i përket shpenzimeve për 7 mujorin e parë të këtij viti, sipas Ministrisë së Financave, arritën në 347.5 miliardë lekë, me një realizim në masën 92.3 përqind të planit. Krahasuar me një vit më parë, ky zë ka rezultuar 6.3 % më i lartë.

“Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 7 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 347.5 miliardë lekë me një realizim në masën 92.3 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 6.3 përqind më i lartë ose rreth 20.5 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 47.1 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 46.7 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 1 datë 21.02.2024 (AN nr.1). Shpenzimet korente për periudhën 7 mujore të vitit 2024 rezultuan në rreth 314.7 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 8.5 përqind më i lartë ose rreth 24.8 miliardë lekë më shumë”, njofton Ministria.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›