E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malaj pret zyrtarin e lartë të OKB-së: Fokus te financat publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj priti sot në një takim zyrtar nënsekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe administrator në detyrë të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Haoliang Xu, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Gjatë takimit, ministri Malaj prezantoi përfaqësuesit të lartë të OKB-së me treguesit kryesorë të ekonomisë shqiptare, reformat fiskale dhe përpjekjet e qeverisë për garantimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike, përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe uljen graduale të borxhit publik.

“Shqipëria mbetet e angazhuar për të nxitur politika që kontribuojnë në përmbushjen e Agjendës së Kombeve të Bashkuara 2030 dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”, deklaroi ministri Malaj.

Nga ana e tij, Xu vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria dhe shprehu gatishmërinë e UNDP për të mbështetur më tej forcimin e sistemeve të financave publike, përmirësimin e koordinimit të politikave dhe menaxhimin e riskut fiskal.

Ai theksoi gjithashtu mundësinë e bashkëpunimit përmes Instrumentit të Sigurimeve dhe Financimit të Riskut, si një mekanizëm novator që mund të ndihmojë Shqipërinë në përballimin e sfidave ekonomike dhe për të mbështetur një rritje të qëndrueshme.

Takimi riforcoi partneritetin mes Shqipërisë dhe UNDP-së në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe reformave strukturore që forcojnë kapacitetet institucionale të vendit.

Ata diskutuan mbi nevojën për mënyra inovative të financimit dhe rritjen e shpenzimeve për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Referuar të dhënave të INSTAT, gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit në 3,51%, rritje që është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e rritjes së BE – që mesatarisht ishte 1,5% – por më e lartë edhe se zhvillimet në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që ishte 2,9%.

Sipas Bankës së Shqipërisë përmirësimi i të ardhurave, rritja e pagave ka ndikuar  drejtpërdrejt në fuqizimin e kërkesës së brendshme. Ndërsa një tjetër element kyç, është rigjallërimi i investimeve në ekonomi.

/e.xh//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›