Mali në verë, bukuri dhe rreziqe të fshehura. Aventurë mes natyrës, por duhet pasur kujdes maksimal

Në ditët e nxehta të verës, shumë njerëz zgjedhin malin për t’u freskuar dhe për të shijuar natyrën.
Por mes gjelbërimit dhe panoramave të bukura, fshihen edhe disa rreziqe që kërkojnë kujdes.
“Peizazhet e bukura që të fal natyra, emocionet, sidomos kur je ne grup… humori, batutat dhe çdo gjë që ndodh gjatë një ecjeje ka një ndikim të jashtëzakonshëm në mirëqenien tonë si njerëz. Mund të na ndodhë një pickim nga insekte apo zvarranikë të ndryshëm, mund të kalojmë në dehidratim, në djegie nga dielli,” thotë udhërrëfyesi turistik Kastriot Faci.
Çfarë këshillash duhet të ndjekim për të qenë të sigurtë gjatë ecjes në mal?
“Duhet të kemi të paktën një litër e gjysmë ujë me vete. Kremi i diellit duhet të përdoret nga të gjithë para nisjes, por edhe gjatë ecjes. Syzet janë shumë të nevojshme. Duhet të kemi një paketë të ndihmës së shpejtë, e cila bashkë me shkopin, janë mjete ndihmëse jo vetëm për të ecur, por edhe për të trembur zvarranikët.
Një kuti e vogël e ndihmës së shpejtë është shumë e domosdoshme. Të marrim disa medikamente, si Ultracorten, i cili ndihmon në rastin e pickimit, qoftë nga një zvarranik, qoftë nga një grerëz apo insekt tjetër. Nuk duhet të vrapojmë, mbasi vrapimi dhe qarkullimi i shpejtë i gjakut na bën që edhe helmi të përhapet me shpejtësi në trupin tonë. Të mos ecim në shtigje të pashënuara!” këshillon z. Faci.
Mali të fal bukuri dhe ajër të pastër, dhe me kujdesin e duhur çdo ecje kthehet në një aventurë të sigurt.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/