E Diel, 1 Nëntor 2026

Mamografia falas në Spitalin e Vlorës, Spahiu: Diagnostikimi i hershëm shpëton jetë

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Shërbimi i mamografisë vijon të ofrohet në Spitalin Rajonal të Vlorës, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, përmes një postimi në rrjetet sociale, ndau mesazhin e specialistes së imazherisë në Spitalin e Vlorës, e cila u bën thirrje grave dhe vajzave të kryejnë kontrollet e nevojshme për shëndetin e gjirit.

“Jemi në muajin e depistimit të kancerit të gjirit, në muajin tetor. Në spitalin tonë kryhet ekzaminimi i mamografisë gjatë muajit tetor për të gjitha gratë e moshës mbi 40 vjeç”, thekson ajo.

Sipas mjekes, mamografia është një ekzaminim joinvaziv, që kryhet në një kohë të shkurtër dhe luan rol të rëndësishëm në identifikimin e hershëm të sëmundjes.

Në postimin e saj, Spahiu thekson se shërbimi i mamografisë vijon të jetë i disponueshëm në Spitalin Rajonal të Vlorës, ashtu si në strukturat shëndetësore në të gjithë vendin, me synim rritjen e mundësive për zbulimin në kohë të kancerit të gjirit.

“Kontrolli është dashuri për veten”, është mesazhi sensibilizues i ministres Spahiu.

“Përtej Tetorit Rozë, kontrollet e rregullta mbeten çelësi i diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të suksesshëm”, theksohet në postim.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›