Manastirliu: Fuqizim i instrumenteve të parandalimit të dhunës apo bullizmit në shkolla

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu vijoi sot nga shkolla “Janaq Kilica” turin e takimeve dhe konsultimit publik me prindër dhe mësues në të gjithë vendin për kufizimin apo ndalimin e platformave TikTok apo dhe Snapchat.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastriliu tha në fjalën e saj se “duhet të angazhohemi që të intensifikojmë këtë komunikim që të mundet që të gjithë mjetet që kemi në dispozicion, të gjithë strukturat që janë në funksion t’i shërbejnë këtij qëllimi duke krijuar edhe më shumë rrjete të parandalimit dhe duke fuqizuar më tej edhe ato ekzistuese dhe duke u ndihmuar edhe nga teknologjia duke e parë atë si aleat”.
“Por, nga ana tjetër duke i vendosur ndalim atyre platformave të cilave në fakt sfidojnë autoritetin e mësuesve, prindërve dhe çojnë në shqetësime qoftë për vetë fëmijët e të rinjtë, por edhe sa i përket problematikave lidhur me shëndetin mendor, të cilat nga të gjitha studimet dhe hulumtimet e bëra edhe këto incidenca janë në rritje pikërisht për efektet negative që prodhojnë platformat të tilla si Tik Tok apo Snapchat”, theksoi Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “në sajë të këtij komunikimi jemi duke dëgjuar për diskutime dhe vendime që duhet të marrim lidhur me përmirësimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të instrumenteve të parandalimit të çdo forme dhune apo bullizmi apo dhune online në të gjithë strategjinë që ne kemi, por edhe sa i përket një tjetër diskutimi që po ndodh me prindërit në saj të këtij komunikimi qe ne kemi nisur që lidhet me ndalimin e disa platformave online si Tiktok apo Snpachat apo kufizimin e tyre vendime që duhet të marrim së bashku“.
Ministrja Ogerta Manastirliu foli për masat e ndërmarra për rritjen e sigurisë në shkolla.
“Oficeri i sigurisë në shkollë, punonjësi social dhe psikologu tashmë përbëjnë një bërthamë thelbësore në sistemin e sigurisë në strukturat tona arsimore. Fokusi ynë është në zgjerimin e shkollave që i kanë këto shërbime. Përditësimi i protokolleve të punës është një tjetër masë, e cila periodikisht është pjesë e punës sonë, por tashmë e parë edhe në këndvështrimin e integrimit të teknologjisë dhe platformave online, për t’i orientuar drejt raportimit proaktiv”, deklaroi Manastirliu.
Gjithashtu, ministrja Manastirliu u ndal dhe te programi i ri pilot “After School” që do të nisë duke filluar nga viti 2025.
“Do të pilotojmë, duke filluar nga 2025, programet jashtëshkollore “After School” për të bërë të mundur që në shkolla fëmijët të kenë mundësi, qoftë për të bërë detyrat e shtëpisë, por edhe për të zhvilluar aktivitete jashtëshkollore duke zgjatur kohën e qëndrimit në shkollë”, theksoi Ministrja.
Më tej Manastirliu tha se “një ndër qëllimet kryesore të shkollës është edhe jeta jashtëshkollore, aktivitetet jashtë programit shkollor janë një pjesë integrale e gjithë edukimit dhe arsimimit të fëmijëve’.
“Jemi duke punuar që të zgjerojmë programin “Art dhe Zeje” edhe në 100 shkolla të tjera në vitin 2025 dhe më tej në 200 shkolla në 2026 për të përmbyllur të gjithë shkollat që e kanë këtë program funksional”, tha ministrja.
Manastirliu u shpreh se “janë mbi 500 shkolla në rang vendi që janë të hapura dhe komuniteti i nxënësve dhe mësuesit por edhe struktura të tjera janë prezentë dhe jashtë orarit mësimor dhe aktiviteteve sociale, kulturore dhe sportive. Po flasim në një kohë kur ne sot që flasim kemi me qindra shkolla të rehabilituara në këto vite, të cilat tashmë kanë edhe infrastrukturë sportive”.
Sipas saj, deri përpara vitesh aktivitetet në shkollë ishin të limituara sepse palestrat, terrenet sportive nuk ofronin kushtet që shkolla të hapej.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me institucionet arsimore, ka nisur një tur të gjerë këshillimi me komunitetin e prindërve për forcimin e mekanizmave të parandalimit të akteve të dhunës në shkollë dhe jashtë saj, si dhe për t’iu përgjigjur sfidave që sjellin rrjetet sociale në jetën e përditshme të fëmijëve dhe të rinjve.
/k.s/j.p/