Manastirliu: Programi i gjuhës së shenjave, për herë të parë në Universitetin e Tiranës

Për herë të parë, këtë vit hapet programi i gjuhës së shenjave në Universitetin e Tiranës. Lajmin e bën të ditur ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe Kreu i Organizatës së Personave që Nuk Dëgjojnë në Shqipëri, Florjan Rojba, ndanë së bashku mesazhin për të drejtat dhe gjithëpërfshirjen e njerëzve që nuk dëgjojnë.
“Me Florin, bashkë me mesazhin se gjuha e shenjave është një e drejtë gjuhësore për personat që nuk dëgjojnë në të gjithë botën, kemi edhe një lajm të mirë për komunitetin e njerëzve që nuk dëgjojnë. Për herë të parë, këtë vit hapet programi i gjuhës së shenjave shqipe në Universitetin e Tiranës, duke mundësuar që gjuha e tyre të njihet dhe të mësohet në nivel akademik, duke rrëzuar barrierat për studentët me aftësi ndryshe, me qëllim përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën akademike dhe studentore”, shkruan ministrja.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve të Shenjave, që festohet çdo vit më 23 shtator, është një mundësi e rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet dhe sfidat me të cilat përballen njerëzit që nuk dëgjojnë, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së identitetit gjuhësor dhe diversitetit kulturor të këtij komuniteti.
Këtë vit, nën moton “Gjuha e shenjave është një e drejtë gjuhësore për personat që nuk dëgjojnë në të gjithë botën” liderë në të gjithë botën i përcjellin mesazhet duke përdorur gjuhën e shenjave kombëtare për të promovuar këtë çështje.
Edhe hapja e programit të gjuhës së shenjave shqipe në Universitetin e Tiranës është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, dhe do të ndihmojë në rritjen e mundësive të edukimit dhe punësimit për këtë komunitet.
Kjo ditë synon jo vetëm të nxisë ndërgjegjësimin për të drejtat e komunitetit të njerëzve që nuk dëgjojnë edhe të kontribuojnë në pasurimin dhe diversitetin e gjuhës së shenjave si një mjet i fuqishëm komunikimi.
ANAD është e vetmja shoqatë në Shqipëri e themeluar në vitin 1993 e cila përfaqëson dhe mbron të drejtat e 39.000 personave që nuk dëgjojnë në Shqipëri.
Që nga viti 2005 ekziston edhe një botim i fjalorit të gjuhës së shenjave shqipe.
/rtsh.al/