E Enjte, 5 Nëntor 2026

Manastirliu dhe Veliaj në shkollën “Emin Duraku”: Gati investimet e reja në 10 shkolla në Tiranë

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë, e transformuar në një institucion model të arsimit pas rindërtimit  të realizuar nga programi “EU4Schools”, mbështetur nga Bashkimi Europian.

Ndërhyrjet gjithëpërfshirëse në godinën 4-katëshe kanë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe aksesin për nxënësit me aftësi ndryshe.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, foli për rëndësinë e investimeve në arsim, duke theksuar se çdo investim rikthen shumëfish vlerën në edukimin e brezave të rinj.

“Ky projekt ka qenë kompleks dhe i vështirë për t’u realizuar, por rezultati është një shkollë me laboratorë, hapësira për artin dhe zejet, si dhe një palestër të re, të gjitha të ndërtuara me standardet më të larta,” tha Manastirliu.

Pas ndërhyrjeve komplekse, shkolla “Emin Duraku” ofron kushte bashkëkohore për 1300 nxënës dhe 59 mësues, me një infrastrukturë të pasur që përfshin 50 klasa, laboratorë shkencorë, IT dhe arti, një bibliotekë moderne dhe terrene sportive.

Gjithashtu, shkolla është e pajisur me një dhomë infermierie, një ambient stomatologjie dhe një dhomë për psikologun, duke siguruar kujdesin e plotë për shëndetin dhe mirëqenien e nxënësve.

Ministrja shpjegoi se ky është vetëm fillimi, pasi programi i qeverisë ka në fokus të saj përmirësimin e infrastrukturës arsimore.

“Ne jemi të fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe synojmë që këtë vit të finalizohen rreth 100 objekte arsimore dhe terrene sportive, dhe hapim kantiere për 40 shkolla të reja, të cilat mbështeten nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, me fondet e qeverisë shqiptare. Qëllimi është që të gjitha shkollat të funksionojnë vetëm në oraret e paradites, duke shërbyer pasdite për programe jashtëshkollore. Ndërkohë jemi duke vlerësuar një program specifik për shkolla verore duke filluar nga viti 2025,” tha Ministrja Manastirliu.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, drejtuesi i seksionit politik pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë, Andre Rizzo, si dhe përfaqësuesja e PNUD Monica Merino.

Kryebashkiaku Veliaj falënderoi Bashkimin Europian dhe UNDP-në që financuan ndërtimin e shkollës, duke u shprehur se me përfundimin e saj, fillon një histori të re për komunitetin e Njësisë 5.

“Sot hapim një faqe të re për çunat dhe gocat e mrekullueshëm të zonës së ish-Bllokut sepse kjo është një shkollë në zemër të Njësisë 5. Shkolla mbaron për një javë, por ne do t’i shfrytëzojmë pushimet për të bërë edhe një ndërhyrje në pjesën e jashtme, që të sigurohemi që fëmijët nuk dalin menjëherë në rrugë, duke future edhe në këtë shkollë konceptin e një brezi sigurie për fëmijët, siç kemi bërë te shkolla “Gustav Majer”. Tërmeti e dëmtoi rëndë, prandaj morëm vendimin për ta ndërtuar komplet të re. Tani kemi vetëm një kërkesë për nxënësit: presim nota të mira, fitore në olimpiada dhe kupa në kampionate”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pritet të vërë në zbatim një paketë tjetër prej 10 shkollash të reja, kryesisht në periferi të kryeqytetit, për t’i dhënë përfundimisht zgjidhje çështjes së arsimit në Tiranë.

/m.m/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›