E Hënë, 2 Nëntor 2026

Manastirliu në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër: Kushte më të mira për 700 nxënës dhe 60 mësues

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Shkolla “Ndre Mjeda” në Shkodër po rindërtohet me standardet më të mira.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu inspektoi punimet që po kryhen në këtë shkollë, e cila pritet të hapë dyert e saj në fillim të vitit të ri shkollor.

“Shkolla Ndre Mjeda” po i nënshtrohet një transformimi rrënjësor dhe zgjerimi kapacitetesh, për të patur mësim me një turn, me klasa moderne, laboratorë smart dhe të shkencave, bibliotekë, hapësira rekreative, palestër e terrene sportive dhe akses për çdo nxënës”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu informoi se “pas përfundimit të punimeve, “Ndre Mjeda” do të presë rreth 700 nxënës dhe 60 mësues, duke ofruar standarde të larta jo vetëm në procesin mësimor, por edhe mundësi për zhvillim kulturor, sportiv dhe krijues të nxënësve”.

Projekti për rikonstruksionin e plotë të shkollës përfshin edhe ndërtimin e shtesës në godinën 3-katëshe, një palestër të re me një tarracë të shfrytëzueshme, si dhe instalimin e një sistemi ngrohjeje dhe ftohjeje të ri. Po ashtu, do të kryhet edhe sistemimi i sheshit të shkollës.

MAS vetëm për infrastrukturën shkollore në Shkodër ka dedikuar 7 milionë euro.  Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë investimet në infrastrukturën arsimit parauniversitar në Shkodër, si rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, shkolla 9-vjeçare dhe e mesme në Bushat, shkolla 9-vjeçare “Migjeni” në Pukë, kopshti “Tom Alimhilli” në Shkodër, si dhe rikonstruksioni i palestrave në shkollat e mesme “Dodë Kaçaj” në Bajzë, “28 Nëntori” dhe “Tring Smajli” në Shkodër.

1 nga 8

/k.s//a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›