Mançester Siti nuk do të jetë asnjëherë aq i madh sa Barça
Lionel Mesi theksoi se nuk do ta shqyrtonte asnjëherë mundësinë për t‘u bërë pjesë e Mançester Sitit, pasi nuk dëshiron të largohet nga Barcelona. Ylli argjentinas tha edhe se klubi anglez nuk ka historinë e gjigantëve katalanë. Në të kaluarën kanë qarkulluar mjaft zëra rreth një superoferte të pronarëve arabë në Istlends, për 21-vjeçarin. Gjithsesi, ashtu si ndodhi me brazilianin e Milanit, Kaka, Mesi nuk do të largohet nga "Kamp Nou" vetëm për të përfituar më shumë para. Lidhja e sulmuesit me "blaugranat" është mjaft e fortë, ndërkohë që ai këshillon Sitin të ndjekë shembullin e Vijarealit. "Në mendjen time është vetëm Barcelona. Jam i përqendruar te skuadra aktuale dhe tek asnjë klub tjetër, duke përfshirë këtu edhe Mançester Sitin. Nuk mund ta mohoj që interesimi nga ekipet e tjera më gëzon, pasi kjo tregon se po punoj mirë, megjithatë vendi im është në Spanjë, duke luajtur për ngjyrat e katalanëve", tha ai për "ShortList". "Barça ka më shumë histori dhe më duket e vështirë që Mançester Siti mund të ngrihet ndonjëherë në nivelin e kësaj skuadre. Ndoshta në të ardhmen ata do të fitojnë diçka të rëndësishme, por nuk mendoj se kjo mund të realizohet sa hap e mbyll sytë. Në La Liga shembulli më i mirë është Vijareali: kjo skuadër po luan kundër klubeve më të rëndësishme në Evropë, edhe pse nuk cilësohen aq të mëdhenj. Me punën e bërë gjatë viteve, kanë fituar respekt në kontinent dhe Siti mund të ndjekë rrugën e tyre, gjithsesi duhet të kenë durim". Blerja më e bujshme e sheikëve ishte braziliani Robinjo, por Mesi mendon se anglezët nuk duhet t‘i varin shpresat vetëm te një lojtar. "Thelbi i futbollit është se ky sport luhet në grup, përfundoi ai. Një lojtar i vetëm, nuk mund të bëjë diferencën në fushë".