Mandati i Ballukut, PD kërkesë Peleshit: Të martën në orën 11.00 të mblidhet Këshilli i Imunitetit

Partia Demokratike ka kërkuar mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të Kuvendit, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Deputetët e PD kanë kërkuar që kjo mbledhje të mbahet të martën, më 23 dhjetor 2025, në orën 11:00.
Në kërkesën e tyre drejtuar Kryetarit të Kuvendit, 5 anëtarët e PD në Këshillin për Imunitetin theksojnë se pse duhet mbledhja e këshillit.
Ata argumentojnë se Kërkesa e Prokurorisë është që çështja të shqyrtohet brenda 3-5 ditëve nga mbledhja e datës 19 dhjetor 2025, për shkak të natyrës urgjente të hetimeve dhe nevojës për të mos penguar proceset e drejtësisë. Në kërkesë thuhet se periudha e më shumë se 3 ditëve është e mjaftueshme për palët që të njohin aktet dhe të përgatiten për paraqitjen e mbrojtjes
Në mbledhjen e fundit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Partia Socialiste kërkoi një periudhë prej një muaji për të pasur kohë të njohë plotësisht dosjen.
“Në mbështetje të nenit 13, pika 6, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Ne, 1/2 e anëtarëve të Këshillit:
– Duke e konsideruar periudhën më shumë se 3 ditore si të mjaftueshme për palët që të njihen me aktet dhe të përgatiten për paraqitjen e augmenteve/mbrojtjen, bazuar edhe në precedentin parlamentar të dy rasteve të fundit të marra në shqyrtim nga Këshilli, ku afati në dispozicion të palëve ka qenë 48-72 orë;
– Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posaçme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;
– Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme që çështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve;
– Me qëllim që Këshilli dhe Kuvendi të mos bëhen pengesë për drejtësinë dhe për hetimin e çështjeve nga Prokuroria e Posaçme;
Kërkojmë:
1. Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e martë, datë 23 Dhjetor 2025, ora 11.00, me Rend Dite: “Vijimi i shqyrtimit të kërkesës nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, me anë të së cilës Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit – Zëvendëskryeministrit – Ministrit, znj. Belinda Balluku”, shkruhet në kërkesë.
PD thekson se thirrja e mbledhjes është e detyrueshme sipas Rregullores së Kuvendit, nëse kërkohet nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit.
“Thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të 1/2 së anëtarëve është e detyrueshme sipas Rregullores, sepse Këshilli thirret në dy forma sipas pikës 6, të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit: (1) me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit; (2) me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të Këshillit. Nëse thirret nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë Rendin e Ditës për anëtarët e tjerë dhe palët që mund të jenë thirrur në proces. Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë”, thuhet në kërkesë.
Ndërsa një ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha se çështja para se të kalojë në Kuvend, do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të gjykojë çështjen në themel lidhur mbi ligjshmërinë dhe masën e pezullimit të zv.kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
/rtsh.al/