Mandati i deputetes Olta Xhaçka dhe ‘influenca’ ruse. Çfarë pritet të ndodhë nesër në seanca plenare

Kuvendi i Shqipërisë ka bërë publike rendin e ditës për seancën plenare që do të mbahet ditën e enjte më 11 prill.
Sipas rendit të njoftuar priten debate të forta, teksa në rendin e ditës është vendosur projektvendimi për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka me propozim të “Rithemelimit” edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për influencën ruse.
Grupimi i deputetëve të “Rithemelimit” kërkojnë që çështjen për mandatin e deputetes socialiste , Olta Xhaçka të çohet në Kushtetuese.
Të enjten (11 prill) në seancë plenare deputetët do të vendosin nëse mandatin e deputetes Olta Xhaçka do të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, sipas kërkesës të kësaj të fundit në vendimmarrjen e janarit të vitit 2023.
Ky vendim do të thotë që Kuvendi është i detyruar që ta çojë një kërkesë të deputetëve për verifikim të mandatit të një deputeti në Kushtetuese dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë.
Gjithashtu në rendin e ditës së bërë publike njoftohet gjithashtu se shkon për votim edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për influencën ruse, ndryshe komisioni “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
Komisioni ka objekt të veprimtarisë së tij të nxisë identifikimin e ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike përmes një sërë formash, duke përfshirë mediat dhe rrjetet sociale, mbështetjen financiare të aktorëve publikë dhe të shoqërisë civile.
Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, që përfaqësojnë të gjitha grupet parlamentare dhe drejtohet nga përfaqësuesi i shumicës parlamentare.
/rtsh.al/