E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mandela debitor kercenohet me prerjen e dritave e ujit

Kompania Energjitike Afrikano-Jugore dhe ujësjellësi në Johansburg u përfshinë në një skandal qesharak, pasi kërcënuan “Babain e Kombit”, Nelson Mandela, me heqjen e dritave dhe ujit për shkak të një debie inekzistente.

Kompanitë ndreqën gabimin duke kërkuar menjëherë falje, ndërsa nuk është i qartë burimi i faturës së pasaktë. Në faturë, familjes së Mandelës 95-vjeçar, i cili prej dy muajsh qëndron i shtruar në një spital për shkak të problemeve në frymëmarrje, i kërkohej të shlyente një borxh prej 660 dollarësh. Një përfaqësues i familjes së Mandelës ishte ai që denoncoi faturën, duke paraqitur librezat e dritave e ujit, për të vërtetuar se nuk kishte asnjë detyrim të pashlyer. Aktualisht, autoritetet afrikanojugore janë në mes të një procesi që synon të përmirësojë humbjet, duke prerë nga rrjeti debitorët. Bashkia e Johanseburgut, nga e cila varet ujësjellësi, paraqiti një deklaratë, në të cilën i kërkonte ndjesë familjes së Mandelës për çdo shqetësim të krijuar. I burgosur për 27 vjet për luftën e tij kundër autoriteteve të drejtuar nga pakica e bardhë, Mandela u lirua nga burgu në vitin 1990, duke u shndërrua në një legjendë të gjallë për të gjithë njerëzit me ngjyrë dhe luftën e tyre për barazi. Ai u shndërrua në presidentin e parë me ngjyrë të vendit afrikan, në vitin 1994, një vit pasi fitoi Nobelin për Paqe, në 1993-shin. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›