Manipulimet me sondazhet dhe raportet nd
• Adri NurellariFundi i vitit është karakterizuar nga një rritje e jashtëzakonshme e sondazheve që synojnë të nxjerrin në pah kush është individi më popullor, personazhi më i famshëm apo njeriu më i suksesshëm i vitit. Në shumicën e mediave, qoftë të shkruara e qoftë elektronike, përdorimi i sondazheve është shndërruar në një tendencë të vërtetë që sa vjen e shtohet. Format me të cilat mblidhen përgjigjet e publikut janë nga më të ndryshmet e variojnë nga letrat, email-et, tek sms-të, klikimet në internet apo telefonatat. Janë shtuar edhe sondazhet që kërkojnë të zbulojnë opinionin e publikut lidhur me çështje të ndryshme të aktualitetit apo qëndrime të ndryshme politike që zënë rendin e ditës. Padyshim që vlen të theksohet dimensioni pozitiv në këtë tendencë që po përvijohet kohëve të fundit në Shqipëri. Kjo tendencë dëshmon për një përforcim të marrëdhënieve media-publik, pasi sondazhet që masin opinionin janë shndërruar në ura ose kanale komunikimi ndërmjet këtyre dy palëve. Kjo gjë tregon që mediat janë gjithnjë e më të ndjeshme ndaj opinionit të publikut dhe gjithnjë e më të interesuara për të nxjerrë në pah këtë opinion dhe jo detyrimisht opinionin e botuesit aq të përfolur të mediave. Rritja e përdorimit të sondazheve në këtë rast të lë të mendosh se mediat në vendin tonë janë duke u demokratizuar, pasi është duke u rritur varësia e medias ndaj përshtypjeve të lexuesve, shikuesve apo dëgjuesve. Këto sondazhe ofrojnë një kanal për publikun për të ngritur zërin e tij dhe dëshmon që nuk është vetëm media ajo që ndikon në axhendën publike, por edhe anasjelltas. Bashkë me sondazhet, kohëve të fundit vihet re që i lihet më shumë hapësirë studimeve apo raporteve që dalin nga institucione apo organizata të ndryshme. Mbulim gjithnjë e më i madh i është dedikuar hulumtimeve rigoroze të institucioneve si Freedom House, Transparency International apo World Bank. Punimet e këtyre të fundit jo vetëm që janë raportuar, por edhe janë komentuar e interpretuar nga analistët e ndryshëm të medias dhe, madje ka rastisur që janë bërë subjekt bisede edhe për programe televizive të posaçme për to. Edhe kjo prirje padyshim tregon një zhvillim të gazetarisë hulumtuese në Shqipëri dhe se më shumë hapësirë po iu lihet burimeve profesionale me autoritet. Megjithatë, kjo prirje ka problemet dhe ndërlikimet e veta që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me vetë natyrën e këtyre studimeve. Sondazhet dhe raportet e ndryshme që shfaqen në media janë shpesh shumë të sofistikuara dhe për këtë arsye është e nevojshme që gazetarët apo analistët që merren me to të kenë të paktën një përgatitje të përshtatshme metodologjike për të kuptuar, analizuar, raportuar apo interpretuar siç duhet ato. Përndryshe publikut i prezantohen sondazhe të rreme e të manipuluara që nuk tregojnë opinionin e vërtetë të publikut dhe po kështu studimet që mbulohen nëpër mediat e ndryshme, nëse trajtohen nga njerëz të paaftë mund të degjenerojnë në keqinterpretime apo keqkuptime. Defekti kryesor që, në fakt, zhvleftëson tërësisht një pjesë të mirë të sondazheve të mediave shqiptare është procesi i kampionimit të pjesëmarrësve që japin përgjigje. Që një sondazh të jetë shkencërisht i saktë, duhet të jetë bazuar tek një kampion i përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe përfaqësuese, të përdorë pyetje asnjanëse dhe të goditura, si dhe të ketë një personel që të jetë i aftë për të komunikuar siç duhet me të intervistuarit. Që një kampion të jetë përfaqësues, ai duhet të zgjidhet nëpërmjet një procesi përzgjedhës rastësor, që në fakt është një sistem llotarie, ku çdo individ i popullsisë së vendit duhet të ketë të njëjtin probabilitet matematikor për t’u përfshirë në kampionin e sondazhit, po ashtu si ndodh në një llotari, ku çdo numër ka të njëjtin probabilitet për të qenë fitues. Mënyra e përzgjedhjes së kampionimit është një mënyrë se si një porositës sondazhi mund të ndikojë në rezultatet e sondazhit. Në një rast hipotetik banal, nëse dikush do të nxjerrë fitues të majtën, mjafton që t’i marri të gjithë të intervistuarit e kampionit të vet në Kuçovë ose Tepelenë, që janë fortesa të së majtës. Në rastin e gazetave në Shqipëri ato shiten diku tek 50.000 kopje në ditë dhe vetëm në zona urbane. Kjo do të thotë që edhe sikur të gjithë lexuesit e gazetave të votonin prapë, ata nuk do të ishin përfaqësues të shoqërisë shqiptare. Prandaj kuptohet që lexuesit besnikë të një gazete të djathtë do të nxirrnin në një sondazh hipotetik si njeriun më popullor në Shqipëri, Bamir Topin. Pra, nuk është rastësi që lexuesit e një gazete të djathtë të votojnë djathtas dhe as që mund të pretendohet që këta votues të jenë përfaqësues të të gjithë shqiptarëve. E njëjta gjë ndodh me mediat elektronike, shumë pak njerëz kanë internet në Shqipëri që të votojnë online, e për rrjedhojë rezultati i votimeve nuk është përfaqësues. Përpos kësaj në të tilla procese votimi elektronik nuk mund të sigurohet rigoroziteti i votimit përderisa i njëjti person mund të dërgojë qindra sms, qindra emaile me adresa anonime që hapen falas apo të bëj qindra klikime për të njëjtën preferencë në një anketë në faqe interneti. Sondazhet pastaj përpara se të konsiderohen mjaftueshëm rigoroze sa të meritojnë të botohen duhen parë jo vetëm nga procesi i kampionimit, por edhe nga aspekte të tjera të metodologjisë së realizimit të tyre. Për shembull, mënyra se si janë gatuar pyetjet e anketës është thelbësore, pasi pyetjet që janë të ngarkuara emocionalisht ose që janë me qëllim orientuese, mund të çojnë në përgjigje të caktuara. Mënyra e ndërtimit të frazës së pyetjes, renditja e fjalëve dhe pyetjeve, përdorimi i fjalëve evazive, përdorimi i fjalëve tepër specifike apo teknike, i përkufizimeve të panjohura mirë apo të dykuptimta si dhe bërja e pyetjeve për çështje jo të njohura mirë, duke hamendësuar se i intervistuari është në dijeni për një çështje, janë armë manipulimi në dorën e atij që harton sondazhin. I njëjti problem vihet re edhe me studimet që trajtohen nga mediat shqiptare. Shpesh studimet apo raportet që dalin nga institucione të ndryshme bien në duar të individëve jo kompetentë dhe diskutohen në media shpesh në mënyrë të gabuar. Kjo, pasi jo vetëm që nuk shqyrtohet rigoroziteti i studimeve, metodologjia e realizimit të tyre, vlerësimi i burimit prej nga vijnë studimet përpara se ato të publikohen apo transmetohen, por edhe sepse të dhënat e tyre nuk analizohen nga njerëz ekspertë të fushës ose njerëz që kanë përgatitje të shëndoshë në metodat e kërkimin shkencor. Shpesh të dhënat nxirren nga këto studime në mënyrë të thatë, të shkëputura nga konteksti, duke u interpretuar e analizuar gabimisht, si pasojë e mosnjohjes së statistikës apo koncepteve e temave që preken nga një studim. Një rast tipik keqtrajtimi i një studimi ishte ai i raportit të fundit të Transparency International. Pjesa dërrmuese e shtypit u mor me një të dhënë të vetme që erdhi nga përgjigjet e një pyetjeje të vetme (sa individë kishin dhënë ryshfet) të sondazhit të përdorur për të nxjerrë raportin, ndërkohë që nuk u komentua rezultati i agreguar treguesit të perceptimit (Country Perception Index) i cili tregonte një rënie të korrupsionit në Shqipëri. Në vitin 2005, Shqipëria ishte në vendin e 126-të për sa i përket integritetit dhe transparencës, në vitin 2006 në vendin e 111-të dhe sivjet në vendin e 105-të. Dihet pastaj që askush nuk e vuri në dyshim nga ana metodologjike vlerën apo saktësinë e studimit të Transparency International, që në shumë qarqe akademike merret me shumë rezerva. Korrupsioni është një koncept kaq i gjerë e abstrakt dhe manifestohet në shumë forma, duke e bërë shumë të vështirë matjen. Shkalla e korrupsionit mund të lidhet me frekuencën e dukurisë së mitmarrjes, masën apo vlerën e ryshfeteve të paguara, ose përfitimin që nxirret prej vjeljes së kësaj mite dhe përveç studimit të Transparency International, ekzistojnë studime të ndryshme që përdorin indikatorë të ndryshëm. Përveç kësaj është e vështirë të matet niveli i korrupsionit në momentin kur bëhet një mesatare e formave të ndryshme të korrupsionit të nxjerra nga studime që përdorin indikatorë të ndryshëm. Kështu, për shembull, nëse do e përdornim metodologjinë e Transparency International për të studiuar kriminalitetin në dy qytete me të njëjtën popullsi do të na dilte se kriminaliteti do të ishte i njëjtë, pavarësisht se në një qytet kishte 40 vrasje dhe 10 grabitje dhe në tjetrin 40 grabitje dhe 10 vrasje. Kuptohet që jo të dy qytetet janë njësoj të sigurta. Kjo, pasi tek CPI të gjitha format e korrupsionit trajtohen njësoj, që nga ryshfeti prej dy mijë lekësh që i jepet një mjeku për një vizitë, deri te ryshfeti i majmë që jepet për një rrugë kombëtare. Për mos t’i hyrë më tej aspekteve akoma më teknike të bërjes së sondazhit publik, ku në renditjen e Transparency International vendet e gjithë botës krahasohen me njëri-tjetrin sikur të kishin të gjithë të njëjtin sfond kulturor. Një person i pyetur mund të ketë një standard moral të lartë dhe ta quajë korrupsionin në vendin e vetë A shumë të lartë, por ndërkohë një person nga një vend tjetër mund të kishte një standard më pak të ndjeshëm moral ndaj korrupsionit dhe do ta quante korrupsionin e vendit A si të ulët. Po kështu njerëzit vlerësojnë rëndësinë apo domethënien e korrupsionit në mënyrë relative me problemet e tjera të vendeve të tyre që variojnë nga njëri vend në tjetrin, dhe nuk e masin atë në mënyrë absolute, duke përdorur një sistem universal matës. Po kështu, ekspertët e TI në Berlin që merren me mbledhjen dhe përpunimin ndërkombëtar të të gjitha të dhënave shpesh mund të japin gjykime të papërshtatshme, sepse në peshimin e të dhënave nisen nga paragjykimet e tyre kulturore, nga bindjet apo opinionet e tyre për standardet etike ose gabojnë, sepse nuk kuptojnë siç duhet kontekstin kulturor të vendeve që marrin në shqyrtim. Me pak fjalë sondazhet dhe studimet janë shumë delikate dhe ashtu sikurse një lajm çfarëdo nuk mund të raportohet drejtpërdrejtë pa u konfirmuar nga burime të pavarura e të besueshme, ashtu edhe anketat dhe studimet duhet të filtrohen mirë përpara se të nxirren nëpër faqet e para. Prandaj del e nevojshme që mediat të investojnë jo vetëm në prezantimin në cilësinë dhe ngjyrat e letrës së shtypit apo teknologjinë e transmetimeve radio-televizive, por edhe në kualifikimin e mëtejshëm të stafeve të tyre për t’u marrë me të tilla hulumtime ose në angazhimin e ekspertëve kompetentë për t’i trajtuar ato në mënyrë rigoroze.