E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, partitë gati listat për deputetë

Partitë politike në Maqedoni deri nesër para mesnate do të duhet të dorëzojnë listat për deputetë, për shkak të skadimit të afatit përfundimtar.

Një pjesë e partive deri tani kanë mbyllur listat përfundimtare, ndërsa një pjesë tjetër po zhvillon ende kombinimet për përpilimin e tyre.

Në BDI bëjnë të ditur se kanë arritur që të rrumbullakësojnë listat me emrat e kandidatëve për deputetë në të gjitha zonat.

Në njësinë e 6 zgjedhore kandidojnë: Ali Ahmeti, Teuta Arifi, Talat Xhaferi, Behixhudin Shehapi, Xhevat Ademi etj. Në njësinë e 5 zgjedhore janë: Arben Labunishti, Vjollca Memedi, Nedim Ramizi, etj. Në njësinë numër 1 kandidojnë: Izet Mexhiti, Suzana Saliu, Rafet Muminoviq (nga boshnjakët), etj. Në njësinë numër 2: Ermira Mehmeti, Rexhail Ismaili, Hajrulla Misini, Artan Grubi, etj si dhe në njësinë 3 lista udhëhiqet nga ministri i shëndetësisë Bujar Osmani.

Edhe PDSH jozyrtarisht ka përpiluar listën për deputetë, promovimi i të cilëve do të bëhet sot në një konventë partiake. Nga PDSH në njësinë 6 janë: Menduh Thaçi, Arbër Xhaferi, Merale Ferati, Imer Aliu, Luan Tresi, etj. Në njësinë numër 5 kandidojnë: Zijadin Sela, Mendi Qyra dhe Krenar Lloga, etj. Në njësinë 1 garojnë: Mirushe Hoxha, Idriz Orana dhe Enver Sllamniku, etj si dhe në njësinë 2 janë: Valon Bela, Trim Reka dhe një kandidat nga Kumanova dhe Likova, etj.

Në RDK gjithashtu bëjnë të ditur se janë në përfundim të listave, ku jozyrtarisht njësia 6 udhëhiqet nga Rufi Osmani, njësia numër 2 nga Selver Jashari, njësia numër 5 nga Artan Dika, njësia numër 1 nga Nuhi Aliu, etj.

Në DR theksojnë se sot pritet të rrumbullakësojnë listën përfundimtare, ndërsa BDSH përfundimisht në njësinë 6 shkon me liderin e saj Bardhyl Mahmutin, të pasuar nga Daut Rexhepi-Leka dhe emra të tjerë. Në njësinë e 2 zgjedhore kjo parti garon me Xhezair Shaqiri-Hoxha të pasuar nga Ismail Rexhepi nga Kumanova. Edhe partitë e tjera politike që garojnë në këto zgjedhje janë në përfundim të hartimin të listave për deputetë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›