E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, qeveria kërkon të dhëna për pasurinë e presidentit

Mediat e shkruara në Shkup kanë njoftuar se drejtoria e të hyrave publike në Maqedoni ka kërkuar nga të gjitha bankat, kursimoret dhe drejtoritë për çështje financiare në vend që ta informojnë këtë drejtori për situatën financiare të presidentit të shtetit dhe familjes së tij.Ky informacion as është mohuar, por as është vërtetuar nga ky institucion.

"Sipas ligjit për çështje tatimore, gjithçka që është e ndërlidhur me këtë ligj është fshehtësi tatimore,"thotë zëdhënësja e Drejtorisë për të hyra publike, Vesna Novakoviq.

Ndërkaq, në një njoftim të lëshuar nga kabineti i presidentit Cërvenkovski thuhet se “mbështet luftën kundër korrupsionit, por është kundër masave të tilla, nëse ato nuk realizohen në mënyrë objektive dhe pa selektime. Nëse është kështu, atëherë kabineti kërkon nga kjo drejtori që ta informojë se a janë marrë masa të tilla edhe për kryeministrin dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar,” thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i presidentit.

Dane Talevski i Institutit për demokraci nuk përjashton mundësinë që pas veprimeve të këtilla të ketë edhe qëllime politike.

"Ekziston dyshimi se pushteti i shfrytëzon institucionet që në emër të luftës kundër krimit dhe korrupsionit të qërojë hesapet me kundërshtarët e vet politik, por si këtë do ta dëshmojë koha,"thotë Dane Talevski i Institutit për demokraci.

Edhe para dy vjetësh, presidenti Cërvenkovski është gjetur para akuzave në media se dispononte mjete financiare në banka të ndryshme jashtë shtetit, por kjo nuk u vërtetua.

Kjo është hera e dytë e përplasjes së presidentit, Branko Cërvenkovski dhe qeverisë gjatë dy javëve të fundit.

Presidenti ditë më parë e akuzoi qeverinë për “mungesë të sensit për të bashkëpunuar me presidentin për çështje të rëndësishme për shtetin si dhe për veprimet e saj të cilat ai i cilësoi si të rrezikshme për të ardhmen e vendit.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›