Marash Kumbulla transferohet te Rayo Vallecano në La Liga

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Marash Kumbulla do të vazhdojë karrierën në La Liga. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është zyrtarisht futbollisti më i ri i Rayo Vallecano, klub që ka konfirmuar afrimin e tij në formë huazimi nga Roma për sezonin e ri.
Klubi italian nuk e kishte më në plane 26-vjeçarin dhe pranoi largimin e tij, ndërsa Kumbulla rikthehet në një kampionat që e njeh mirë. Më herët ai ka luajtur në elitën e futbollit spanjoll me Espanyol dhe Mallorca, duke fituar eksperiencë në La Liga.
Te skuadra madrilene, Kumbulla do të gjejë edhe bashkëkombësin Ivan Balliu, ndërsa pritet të konkurrojë për një vend titullari në qendër të mbrojtjes me Florian Lejeune, Nobel Mendy dhe Luiz Felipe.
Rayo Vallecano e konsideron shqiptarin një përforcim të rëndësishëm për repartin mbrojtës, ndërsa ai bëhet afrimi i tretë i klubit gjatë merkatos verore.
Sezonin e kaluar, Kumbulla ishte pjesë e Mallorcas, ku u aktivizua në 10 ndeshje zyrtare.
Tashmë objektivi i tij është të rigjejë vazhdimësinë dhe formën më të mirë, duke u shndërruar në një nga pikat kyçe të Rayo Vallecanos.
/m.q/r.e/a.f/