Maria Branyas, personi më i moshuar në botë, vdes në moshën 117-vjeçare

MADRID, 20 gusht /ATSH-DPA/- Maria Branyas, personi më i moshuar në botë sipas rekordeve botërore “Guinness”, ka vdekur në moshën 117-vjeçare, tha sot familja e saj në X.
“Gruaja spanjolle vdiq në gjumë dhe “pa dhimbje” në një shtëpi kujdesi në qytetin katalan Olot, rreth 100 kilometra në verilindje të Barcelonës”, sipas deklaratës.
E lindur më 4 mars 1907, Branyas ishte e njohur në të gjithë Spanjën si Super-Gjyshja.
Ajo i mbijetoi të dy luftërave botërore dhe jetoi gjatë Luftës Civile Spanjolle (1936-1939).
Ajo ia doli gjithashtu t’i mbijetonte edhe dy pandemive: Pandemia e gripit spanjoll që shpërtheu midis viteve 1918 dhe 1920 dhe pandemia e koronavirusit.
Sipas “Guiness World Records” – rekordeve botërore “Guinness” – ajo u infektua me Covid-19 në 2020, por u shërua plotësisht brenda pak ditësh, “duke u bërë e mbijetuara më e moshuar në botë nga Covid-19”.
Branyas lindi nga emigrantë katalanas në San Francisko. Familja e saj u kthye në Katalonjë kur ajo ishte tetë vjeç dhe që atëherë ajo jetonte në provincën Girona.
Në vitet e fundit të jetës, Branyas punoi me studiues nga Universiteti i Barcelonës, të cilët po kryenin një studim shkencor mbi jetëgjatësinë.
Ajo e quajti hulumtimin “kontributin e saj të fundit në shoqëri”.
Branyas ka lënë pas tre fëmijë, 11 nipër e mbesa dhe 13 stërnipër.
Sipas “Guiness World Records”, Branyas u bë “personi më i moshuar në botë” në janar 2023 pas vdekjes së murgeshës franceze Lucile Randon, në moshën 118 vjeçare.
Pas vdekjes së Branyas, japonezi Tomiko Itooka, 116 vjeç, pritet të marrë këtë titull.
Por, të gjithë janë shumë larg nga Jeanne Calment, një murgeshë tjetër franceze, e cila jetoi për 122 vjet e 164 ditë. //a.i/