E Diel, 1 Nëntor 2026

Marquez nuk mund te shkruaje me

Çmimi “Nobel” për letërsinë në vitin 1982, Gabriel Garsia Markez, 85 vjeç, vuan prej kohësh nga një sëmundje e rëndë e ndoshta nuk mund të shkruajë më. Pas shumë zërave ka qenë vëllai i tij ai që ka konfirmuar sëmundjen e shkrimtarit të madh. Megjithatë vëllai i Markez ka thënë se shpreson që ky të mos jetë një konfirmim përfundimtar i mjekëve. Ai ka konfirmuar gjithashtu se autori i “100 vjet vetmi” ka dy vjet e gjysëm që nuk sheh më, por pavarësisht kësaj ai e telefonon përditë duke i kërkuar ndihmë për të rifreskuar memorien pasi dëshiron që të mbajë mendjen në aktivitet. Vëllai i shkrimtarit është shprehur ndër të tjera se të gjithë në familjen e tyre kanë të njëjtën sëmundje, e madje dhe ai vetë kishte filluar të ndjente simptomat e para. Por në rastin e Markez situata mbetet më e rëndë pas tumorit linfatik në vitin 1999. Megjithatë, ka vazhduar ai, ne flasim me entuziazëm me të, pavarësisht zërave që duan që ai të mos flasë më, sikur mezi presin që ai të vdesë pasi kjo do të përbënte një lajm të rëndësishëm. Duhet të urojmë që të jetojë sa më gjatë dhe që të jetë pranë nesh, dhe pse ndonjëherë më duket sikur po më rrëshqet nga duart, ka përfunduar i përlotur ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›