“Marrëveshja me LDK-në ka marrë goditje të rëndë”, Kurti: Kush do të shmangë zgjedhjet, të mbështesë Sejdiun, president

Vendimin e 6 deputetëve të LDK-së që kundërshtojnë marrëveshjen për presidentin, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e cilëson si goditje të rëndë, ndonëse ai këmbëngul se pakti politik vazhdon të jetë i vlefshëm.
“Marrëveshja politike që kemi arritur ka marrë një goditje të rëndë, mirëpo nuk është zhvlerësuar. Është sukses i madh i dy subjekteve tona politike dhe ata që e duan stabilitetin institucional, evitimin e zgjedhjeve, forcimin e shtetit e kanë shansin”. Tha Kurti.
Kurti theksoi për Ekonomia Online se nga marrëveshje politike me LDK-në ka dalë edhe një emër konkret si kandidat për president, duke refuzuar të shprehet nëse do të ketë ndonjë emër tjetër.
“E ky është, emri i përveçëm që ka dalë nga marrëveshja politike, përkatësisht Profesor Bekim Sejdiu”, theksoi ai.
Edhe pas takimit të së mërkurës me kreun e LDK-së dhe disa deputetë nga komunitetet joshumicë, Kurti u shpreh optimist për gjetjen e një zgjidhjeje, por i njëjti entuziazëm nuk erdhi nga Lumir Abdixhiku, i cili u shpreh se parashikimi i tij ishte se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, pasi nuk është numri i duhur i votave për të ecur përpara me procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
Ndërkohë PDK dhe AAK, duke vijuar protestën para selisë së qeverisë dhe në Kuvend, akuzuan sërish Kurtin se po bllokon funksionimin e shtetit për interesat e tij.
/rtsh.al/