Marrëveshja mes Izraelit dhe Hamasit, Trump: Fitorja jonë solli paqe në Gaza

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump njoftoi këtë të mërkurë se është arritur marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Me anë të një postimi në Truth Social, Trump shkruan se fitorja e tij solli paqe në Gaza, teksa shton se do të vazhdojë të punojë ngushtë me Izraelin dhe aleatët për t’u siguruar që Gaza të mos bëhet më kurrë një strehë e sigurt terroriste.
Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së shton se shumë gjëra të mrekullueshme do të ndodhin kur Trump do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, dhe administrate e tij të konfirmohet plotësisht.
“Kjo marrëveshje EPIC e armëpushimit mund të kishte ndodhur vetëm si rezultat i Fitores sonë Historike në Nëntor, pasi i sinjalizoi mbarë botës se administrata ime do të kërkonte paqe dhe do të negocionte marrëveshje për të garantuar sigurinë e të gjithë amerikanëve dhe aleatëve tanë. Jam i emocionuar që pengjet amerikanë dhe izraelitë do të kthehen në shtëpi për t’u ribashkuar me familjet dhe njerëzit e tyre të dashur.
Me këtë marrëveshje të vendosur, ekipi im i Sigurisë Kombëtare, përmes përpjekjeve të të dërguarit të posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të vazhdojë të punojë ngushtë me Izraelin dhe aleatët tanë për t’u siguruar që Gaza të mos bëhet më kurrë një strehë e sigurt terroriste. Ne do të vazhdojmë të promovojmë PAQEN PËRMES FUQISË në të gjithë rajonin, ndërsa ndërtojmë vrullin e këtij armëpushimi për të zgjeruar më tej Marrëveshjet Historike të Abrahamit. Ky është vetëm fillimi i gjërave të mëdha që do të vijnë për Amerikën, dhe në të vërtetë, Botën!
Ne kemi arritur kaq shumë edhe pa qenë në Shtëpinë e Bardhë. Vetëm imagjinoni të gjitha gjërat e mrekullueshme që do të ndodhin kur të kthehem në Shtëpinë e Bardhë, dhe administrata ime të konfirmohet plotësisht, në mënyrë që ata të mund të sigurojnë më shumë fitore për Shtetet e Bashkuara”, shkruan Trump. /vizionplus.tv