E Martë, 3 Nëntor 2026

Marrëveshja për emigrantët, Rama: Nëse se bëjmë punën si duhet sot, nesër BE-së mund t’i shkaktohen dëme të mëdha

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët të mbajtur nga Brukseli me homologun e Malit të Zi, Presidentin e Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale Oliver Ropke pas mbledhjes së Komitetit Ekonomik dhe Social Europian, u ndal te marrëveshja me Italinë për emigrantët.

Rama deklaroi se marrëveshja nuk bie ndesh me qëndrimin e BE-së për migracionin. Ai u shpreh se ajo që Shqipëria po bën me Italinë, është ajo që duhet të bëjë një vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Kryeministri theksoi se Shqipëria po sillet si një vend anëtar dhe po pranon që të ndajë me Italinë peshën e përgjegjësisë për t’u përballur me një çështje të vështirë, sikurse është migracioni i paligjshëm, sipas tij.

“Nuk e shoh se si ajo që po bëjmë me Italinë bien ndesh me qëndrimin e BE-së për migracionin. Është e kundërta. Ajo që po bëjmë me Italinë si shtet jo anëtar, është ajo që supozohet të bëjë shteti anëtar. Nëse e ashtuquajtura politikë e rishpërndarjes ka dështuar masivisht kjo nuk e bën atë çka po bën Shqipëria, diçka që është ndesh me qëndrimin e BE në raport me migracionin. Krejt e kundërta. Po sillemi si vend anëtar dhe po pranojmë që një vend anëtar të ndajë me ne peshën e përgjegjësisë për t’u përballur me një çështje kaq të vështirë në kontekstin kur migracioni i paligjshëm është bërë ushqim i politikës së përditshme e debateve. Por kjo natyrisht nuk mund të jetë përgjigja e përbashkët e BE-së për mënyrën si duhet trajtuar kjo situatë”, tha Rama teksa theksoi në përfundim të fjalës së tij se nëse Shqipëria nuk e bën këtë “punë” sot, mund t’i shkaktohet dëm i madh Bashkimit Evropian nesër.

Ai u shpreh se marrëveshja për emigrantët kërkon punë sfiduese, dhe Shqipëria ndonëse nuk ka fuqi të japë zgjidhje, është kontribuuese modeste.

“E gjithë politika që prodhohet nga kjo çështje nuk po merret me thelbin. Po merret me simptomat dhe ndaj shkaku po bëhet gjithnjë e më shqetësues. Situatat në të ardhmen e afërt mund të dalin jashtë kontrollit.

Shqipëria nuk ka asnjë fuqi këtu për të qenë ajo që jep zgjidhjen, por jemi kontribuues modest dhe po qëndrojmë krah për krah me një vend që për ne ka vlerë të veçantë, Italia. Ne jemi fqinj që na ndan veç deti. Në këtë det  po ndodhin gjëra dhe s’mund të rrimë larg dhe të bëjmë sikur s’ka lidhje me ne. Ne nuk jemi shtet anëtar në BE dhe nuk na detyron asnjë marrëveshje për t’u përfshirë në atë që ju e quani punë e pisët. Është një punë shumë sfiduese, dhe të mos e bësh këtë punë si duhet sot, mund t’i shkaktoj nesër BE-së dëme që s’jam i sigurt se sa katastrofike mund të jenë”, përfundoi Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›