Marrëveshja për emigrantët, Rama nga Luksemburgu: Shteteve tjera iu thamë jo, përse zgjodhëm Italinë

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së hapjes së grup-kapitujve të parë për anëtarësim në BE, i është përgjigjur edhe pyetjeve lidhur me marrëveshjen e emigrantëve me Italinë.
Rama theksoi se ndonëse Italia nuk është vendi i parë që kërkon këtë marrëveshje, por është e para që ka marrë përgjigje pozitive nga Shqipëria.
Ai theksoi se Italia ishte zgjedhja e tij për shkak të marrëdhënieve të ndërtuara ndër vite mes dy vendeve, si dhe për shkak të ndihmës së vazhdueshme që shteti italian i ka dhënë Shqipërisë.
“Po, jemi pyetur nga të tjerë dhe kemi thënë jo. Së dyti, gjithkush duhet të kuptojë se marrëdhënia me Italinë është e veccantë, na shkon pas mijëra vjet dhe po kështu shkon pas në kohë me një volum domethënëse e veprimi për më shumë se 30 vite të fundit që prej dolëm nga gropa e ferrit të regjimit më mizor komunist në Europë, ku u larguan me qindra mijëra nga brigjet tona dhe Italia hapi krahët për ne dhe erdhi të na shpëtonte nga katastrofa e mundshme financiar pas kemave piramidale e duke ardhur te ditët e tërmetit që Varhelyei përmendi me të drejtë si fillesë e rindërtimi të kësaj marrëdhënie”, tha ai.
Po ashtu, Rama theksoi se kur futesh në një familje si BE, nuk do të thotë se në “menu” mund të marrësh vetëm embëlsira, por edhe të tilla sfida.
“Kur hyn në një familje të madhe, nuk duhet të zgjedhësh gjithmonë ëmbëlsirat apo gjërat e shijshme, por edhe gjërat e tjera që s’janë të shijshme dhe që duhet ta bësh. Kjo është veçoria e kësaj familjeje, të qenit besnik deri në fund. U kam thënë edhe më parë, Bashkimi Evropian s’do gjejë kurrë një anëtar besnik se Shqipëria”.
Në udhëtimin e parë të anijes italiane drejt Shqipërisë ndodhen 16 emigrantë, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Brendshme në Romë.
Bëhet fjalë për dhjetë egjiptianë dhe gjashtë burra me origjinë nga Bangladeshi, të cilët u nisën në anije nga Sambrata dhe Zuara, Libi. Anija e marinës italiane pritet të mbërrijë nesër në Shqipëri./vizionplus.tv