Marrëveshja për financimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, Muçaj: Promovon transportin e gjelbër

TITANË, 28 janar/ATSH/ Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj vlerësoi sot se marrëveshja e huas me Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e hekurudhës Tiranë-Durrës promovon transportin e gjelbër dhe të qëndrueshëm.
Muçaj ishte e ftuar në komisionin për Politikën e Jashtme, ku prezantoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”.
Sipas saj, “financimet në këtë projekt, janë dhënë me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe standardeve institucionale, administrative dhe ato të ruajtjes së mjedisit të Hekurudhës Shqiptare, në përputhje të plotë me standardet e BERZH-it dhe direktivave të BE-së”.
“Financimet kanë impakt të konsiderueshëm në implementimin e projektit, si dhe në vijueshmërinë e qëndrueshmërinë e tij gjatë procesit të shfrytëzimit të kësaj linje hekurudhore”, tha Muçaj.
Gjithashtu, zv/ministrja theksoi se promovohet transporti i gjelbër dhe i qëndrueshëm dhe nxitet kalimi nga transporti rrugor në transportin hekurudhor, duke promovuar një alternativë më eficiente për komunitetin dhe bizneset.
Relatori i projektligjit, deputeti socialist Petro Koci tha se ky projekt është një nga aktet më të rëndësishme të ringritjes së transportit hekurudhor të vendit.
Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan projektligjin.
/m.m/a.f/