Marrëveshja për letërnjoftimet dhe “ngërçi” për targat, Kryeministrja serbe Ana Brnabiç viziton Kosovën më 5 shtator

Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç do të vizitojë më 5 shtator Kosovën. Brnavbiç do të zhvillojë një vizitë një ditore në Mitrovicën e Kosovës, Zveçanin dhe Leposaviqin ku synon të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, brenda të cilave mund të arrihet vetëm mbijetesa e serbëve në Kosovë.
“Së bashku me kryeministrin, drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq dhe drejtori i Zyrës për IT dhe Qeverisje, Mihailo Jovanoviq do të vizitojnë Kosovën dhe Metohinë”, njoftoi Zyra për Kosovën, raporton Tanjug. Vizita e Kryeministres serbe në Kosovë vjen pas arritjes së marrëveshjes për letërnjoftimet.
Më 27 gusht, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për dokumentet identifikuese, por nuk patën një konsensus sa i përket çështjes së targave. Kosova dhe Serbia ranë dakord që Serbia të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës, dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe. Kështu, nga data 1 shtator hyri në fuqi marrëveshja mes dy vendeve, ku qytetarët filluan të lëvizin lirisht vetëm me letërnjoftime.
Po ashtu, më 1 shtator hyri në fuqi dhe vendimi i qeverisë së Kosovës për targat serbe, ku kryeministri Albin Kurti u bëri shoferëve që makinat me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” t’i konvertojnë në targa RKS në dy muajt e ardhshëm.
/rtsh.al/