E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja ushtarake Kosovë-Shqipëri, shqetëson Serbinë

PRISHTINE- Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka deklaruar sot se marrëveshja ushtarake në mes Kosovës dhe Shqipërisë paraqet një problem serioz. 

"Na duhet të mbrojmë popullin tonë, por pa i shkaktuar kurrfarë problemesh Serbisë në planin ndërkombëtar", ka thënë Vucic në një takim me gazetarë, i pyetur lidhur me marrëveshjen ushtarake të nënshkruar në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Vucic ka thënë se Serbia po punon që të mbrojë qytetarët e saj dhe se për këtë çështje duhet të bisedojë me Bashkimin Evropian dhe me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, teksa shton se është një gjë e mirë që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është në veri të Kosovës dhe që NATO-ja është garantues se ato nuk do të dërgohen atje.

Marrëveshja SOFA, e nënshkruar të hënën në Prishtinë në mes Ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çekut dhe Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, rregullon procedurat e hyrjes-daljes, qëndrimit të përkohshëm dhe statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në territorin e shtetit përkatës, si dhe përbërësve civil apo personave në varësi.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›