“Marubi” pas UNESCO-s, muzeu po përgatit një dosje të re

Përfshirja e Arkivit Fotografik “Marubi” në regjistrin “Kujtesa e Botës” të UNESCO-s ka sjellë jo vetëm një vlerësim ndërkombëtar për trashëgiminë fotografike shqiptare, por edhe përgjegjësi më të mëdha për institucionin.
Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Luçjan Bedeni, ka bërë të ditur se muzeu po punon për përgatitjen e një dosjeje të re për UNESCO, ndërsa ka theksuar se detajet e këtij projekti do të bëhen publike në një fazë të mëvonshme.
“Ne jemi përpjekur të mbajmë një standard të rëndësishëm ndërkombëtar për programin. Përmes tij kemi synuar që projektet tona të dialogojnë me koleksionin, i cili është pjesë e muzeut. Aktualisht po përgatitet një dosje e re për UNESCO, e cila do të prezantojë një tjetër autor.”
Përfshirja në UNESCO ka ndikuar ndjeshëm edhe në promovimin e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
“Mendoj se ka pasur një ndikim, sepse të jesh pjesë e UNESCO-s është padyshim një promovim i madh ndërkombëtar. Kështu që, sapo dikush kërkon informacion për muzeun, menjëherë shfaqet edhe lajmi i UNESCO-s, ose anasjelltas.”
Arkivi Fotografik “Marubi” u përfshi në regjistrin “Kujtesa e Botës” të UNESCO-s gjatë vitit 2025, duke u renditur mes trashëgimive dokumentare me rëndësi universale.
/rtsh.al/