Masa e sigurisë, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Jamarbër Malltezit

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese, sipas njoftimit zyrtar të publikuar sot, ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Jamarbër Malltezit, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme prej pesë gjyqtarësh për të marrë vendim.
Objekti i çështjes, ishte kërkesa për shfuqizimin e disa vendimeve të GJKKO, të Gjykatës së Apelit dhe të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për shkak të papajtueshmërisë së këtyre vendimeve me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Malltezi u arrestua për dosjen hetimore “Partizani”, teksa ndodhet tashmë ndodhet në “Arrest shtëpie”.
Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se: “Ditën e sotme, kjo gjykatë mori në shqyrtim çështjen me kërkues Jamarbër Malltezi, me objekt shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 116, datë 23.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenin 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, vendosi rrëzimin e kërkesës, për shkak të mosformimit të shumicës së nevojshme vendimmarrëse prej 5 gjyqtarësh.”
/a.f/r.e/