E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakër mjedisore në lumenjtë Shkumbin e Devoll, dëmtohen urat

ELBASAN- Në rrjedhën e lumenjve Shkumbin e Devoll në Qarkun e Elbasanit po shkaktohet një katastrofë e vërtetë mjedisore. Me dhjetëra firma të palicencuara dhe të licencuara të shfrytëzimit të inerteve vazhdojnë të shkatërrojnë shtretërit e këtyre lumenjve duke rrezikuar edhe veprat e artit sikurse janë urat automobilistike. 

Ndërkaq, pavarësisht kësaj masakre, autoritetet shtetërore nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të frenuar vandalizmin e tyre. Kreu i komunës së Paprrit në rrethin e Elbasanit, Shefqet Bullari jep alarmin për pasojat e shkaktuara nga aktiviteti i paligjshëm i firmave që janë ose jo të licencuara për shfrytëzimin e inerteve në shtretërit e lumenjve. 

Sipas tij, këmbët e disa prej urave automobilistike mbi rrjedhën e Shkumbinit janë duke u shkatërruar me ritme të shpejta dhe për fat të keq deri tani askush nuk u është përgjigjur thirrjeve të tij në rrugë zyrtare për të frenuar këtë masakër, me pasoja të konsiderueshme dhe mjaft të rënda. Akuza të shumta në këtë drejtim ka lëshuar edhe Ahmet Mehmeti, kreu i Klubit Ekologjik për Elbasanin. Ai e ka cilësuar të pafalshme për strukturat shtetërore këtë masakër, me pasoja katastrofike jo vetëm për mjedisin.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›