E Hënë, 2 Nëntor 2026

Masakër në Shkodër, dy të vrarë dhe dy të plagosur, pamje nga vendi i ngjarjes

Dy persona kanë mbetur të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.

Shënjestër e atentatit ishte Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, emër i njohur në botën e krimit. Hamza Lici mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave ndërsa Arlind Bushati, i cili ndodhej në makiën me Licin ka marrë një plumb në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Gazetari i Vizion Plus, Bepin Kolvata ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes. Ngjarja është regjistruar tek ish-SMT, në zonën e Dobraçit rreth orës 15:50.

Gjithashtu nga ngjarja ka humbur jetën Flutura Basha, kalimtare e rastit dhe i plagosur rëndë ka mbetur Bashkim Basha, bashkëshorti i saj.

Dinamika e ngjarjes

Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip Benz,  në lëvizje, me të cilin qarkullonin shtetasit Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Si pasojë e të shtënave ka  humbur jetën shtetasi Hamza Lici dhe është plagosur rëndë  shtetasi Arlind Bushati.

Automjeti që udhëtonin shtetasit Hamza Lici dhe Arlind Bushati, dyshohet ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte shtetasi Bashkim Basha dhe bashkëshortja e tij shtetasja Flutura Basha,  ku si pasojë e përplasjes së automjetit me motomjetin ka ndërruar jetë shtetasja Flutura Basha dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital shtetasi Bashkim Basha.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Po në ndihmë të grupit hetimor është nisur dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale me një  grup specialistësh të Drejtorisë për Hetimin e  Krimeve të Rënda.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet në terren dhe në  ambiente të ndryshme, si dhe kanë ngritur pika kontrolli, për të bërë të mundur kapjen e  autorëve”, njofton policia./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›