E Hënë, 2 Nëntor 2026

Masakra e Gërdecit, tension në seancë mes Fatmir Mediut dhe familjes Durda

Në seancën për masakrën e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe familja Durda u përfshinë në debate të ashpra në sallën e gjyqit.

Mediu kërkoi përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke argumentuar se nuk pranonte kërkesat e tyre me shkrim, dhe kërkoi ndërprerjen e procesit deri në marrjen e një vendimi. Ai sulmoi avokatin e familjes Durda, Dorian Matlia, duke e akuzuar se financohet nga fondet e Sorosit, ndërsa familjarët e viktimës reaguan ashpër.

Fatmir Mediu: Kemi 15 vite që ju dëgjojmë.

Feruzan Durda: Unë kam 15 vite që pres. Avokatin nuk e financon Soros, sepse çështjen e ka marrë në 2008. Mos të thotë ‘kemi 15 vite që ju dëgjojmë’, sepse ne jemi ata që presim drejtësi. Sot do të ishte ditëlindja e djalit tonë, duhet të ishte 25 vjeç.

Në fokus të procesit mbeten akuzat për shpërdorim detyre ndaj Mediut lidhur me procesin e demontimit të municioneve, ku humbën jetën 26 persona, përfshirë edhe fëmijë. Në sallë pati shkëmbime të forta fjalësh dhe tension të dukshëm mes palëve, ndërsa procesi gjyqësor vazhdoi pa ndërprerje.

Gazetare: Lusi Pergjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›