E Martë, 3 Nëntor 2026

Masat ndaj zjarreve gjatë verës, Bashkim Ramaj: Në fokus zonat turistike

Drejtoria e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Shkodër bën të ditur se janë marrë të gjitha masat për sezonin e verës. Në një intervistë për RTSH, Shefi i Sektorit të Ndërhyrjes në këtë drejtori, Bashkim Ramaj, tregon se është hartuar një plan masash konkrete për këtë sezon. Vëmendje e shtuar do t’i kushtohet zonës turistike të Velipojës.

“Në plazhin e Velipojës caktojmë një automjet me një shofer dhe dy zjarrfikës për sezonin veror 2024 që do qëndrojnë 24 orë nga periudha 15 qershor deri më 15 shtator. Në zonat malore kemi marrë masa”, tha Ramaj.

Shefi i Ndërhyrjes së Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Shkodër ka një thirrje për qytetarët që të tregohen më të kujdesshëm dhe të mos krijojnë zjarre të qëllimshme.

“Të kenë sa më shumë kujdes sa i takon hedhjes së cigareve sepse mund të shkaktojë një zjarr të përmasave të mëdha si për pronën private ashtu edhe për objektet shtetërore”, theksoi ai.

Me rritjen e temperaturave, përhapja e zjarreve është një fenomen që haset në mbarë territorin e Shqipërisë dhe një nga zonat më problematike mbetet qarku i Shkodrës. Pavarësisht rritjes së temperaturave , shkak i vatrave të zjarrit, në pjesën më të madhe të rasteve është pakujdesia e qytetarëve, bëri të ditur shefi i Sektorit të Ndërhyrjes Bashkim Ramaj.

Gazetar Mirsad Rakaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›