Mashtrim kompjuterik përmes Call Centerave, SPAK ekzekuton 8 masa sigurie

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vazhdim të punës hetimore në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë e Bambergut Gjermani, ekzekutoi 8 nga 11 masat e sigurisë ndaj shtetasve shqiptarë, të dyshuar si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, që merrej me veprimtarinë e paligjshme të mashtrimit kompjuterik përmes shitjeve online.
Sipas SPAK, masat e sigurisë janë ekzekutuar, dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, si rezultat i veprimeve hetimore të nisura pas kontrolleve dhe sekuestrimeve të pajisjeve elektronike, më 16 mars 2022 në subjektin, qendra e thirrjeve “Bluenergycall shpk”.
SPAK njoftoi se masat e sigurimit të ekzekutuara janë “arrest me burg” për Gj, G.Sh. dhe E.P., “arrest në shtëpi” për Gj.K.B. dhe I.G., si dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Gj. dhe Dh.L., të dyshuar për veprën penale të mashtrimit kompjuterik, në bashkëpunim dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e regjistroi procedimin penal nr.300, më datë 9.12.2021 për veprat penale: “Mashtrim kompjuterik”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Mbi bazën e kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve gjermane të drejtësisë, përkatësisht, Zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg dhe në zbatim të Vendimeve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) më 16.3.2022 janë kryer kontrolle në ambientet e subjektit “Bluenergycall shpk” dhe subjekteve të lidhura me të.
Skema e mashtrimit
Sipas SPAK, nga provat materiale të sekuestruara dhe nga aktet e fashikullit të procedimit penal nr.300 të vitit 2021, të përpunuara në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore gjermane, ka rezultuar se shtetasit gjermanë dhe shtetasë të tjerë europianë ftoheshin nga agjentët e “Bluenergycall shpk” për të investuar në bursa ndërkombëtare përmes depozitimit të parave në platforma mashtruese.
Depozitimet e parave bëheshin në llogari bankare të vendeve të ndryshme si; Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro..etj, në vende të tjera europiane dhe më gjerë dhe më pas zhdukeshin përmes transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Gjithashtu është vërtetuar se mashtrimet janë kryer përmes dy adresave IP, të përdorura nga subjekti “Bluenergycall shpk”, në Shqipëri. Gjatë kontrollit të kryer në datë 16.3.2022, janë ekstraktuar të dhënat elektronike të drejtpërdrejta që janë analizuar nga autoritetet gjermane të drejtësisë dhe konkretisht nga Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg për krimet kibernetike.
Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Posaçme ka dërguar fillimisht për gjykim pronarin, IT-në e qendrës së thirrjeve, “Bluenergycall shpk”, të akuzuar për kryerjen e veprës penale; “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Krijimit dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, si dhe 11 shtetas të tjerë, të akuzuar vetëm për kryerjen e veprës penale: “Pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”.
Hetimet për personat e paidentifikuar, të përfshirë në këtë veprimtarinë vazhduan në kuadër të procedimit të ndarë të vitit 2021.
/m.q/a.f/