Mashtrim me mesazhe SMS, policia paralajmëron qytetarët: Mos klikoni linqe të dyshimta, rrezikoni vjedhjen e llogarive bankare!

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik ka ngritur alarmin për një skemë mashtruese që po përhapet përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit, ku qytetarëve u kërkohen të dhënat bankare me pretekstin e përditësimit të tyre.
Autorët, ende të paidentifikuar, kanë arritur të vjedhin shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë bankare të qytetarëve që bien pre e mashtrimit. Policia bën thirrje për kujdes maksimal dhe mosklikim të linkeve të dyshimta.
Bëhet e ditur nga autoritetet ligjzbatuese se shtetas, ende të paidentifikuar, po dërgojnë mesazhe që përmbajnë linke të rreme, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare ose verifikimi i llogarisë së qytetarëve.
“Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linke dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë bankare dhe në shumë raste, kanë realizuar vjedhjen e shumave të konsiderueshme monetare.”
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik njofton se po qarkullon një skemë mashtruese përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit, ku kërkohet përditësimi i të dhënave bankare përmes linkeve të rreme. Pas klikimit dhe dhënies së të dhënave, autorët arrijnë të vjedhin para nga llogaritë bankare.
Policia thekson se asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes SMS-ve apo linkeve të dyshimta dërgimin e të dhënave sensitive, si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo kredencialet e tjera të sigurisë.
“Mos klikoni linke nga burime të panjohura; Mos ndani të dhëna personale apo bankare në forma të dyshimta; Verifikoni gjithmonë informacionin me institucionet përkatëse” apelon policia.
Policia e Shtetit vijon të ndjekë me prioritet këto raste dhe po punon me prioritet për identifikimin e autorëve në bashkëpunim me bankat dhe partnerët ndërkombëtarë.
/rtsh.al/