Mashtruan kambistin shkodran/ 5 personat pjesë e grupit të Florian Gjergjit, i shumëkërkuari për të njëjtën vepër penale

5 personat që mashtruan kambistin nga Shkodra, 3 prej të cilëve të arrestuar, dyshohet se janë pjesë e grupit të Florian Gjergjit. Ky i fundit është shpallur në kërkim po për veprën penale të mashtrimit.
Grupi prej 5 personave që mashtruan biynesmenin shkodran, 3 prej të cilëve të arrestuar, dyshohet të jenë pjesë e grupit të të shumëkërkuarit po për mashtrim, Florian Gjergji. Të dielën policia arrestoi Krenar Toromenin, Ilia Gjinin dhe Artur Lecinin.
Ata e kishin marrë biznesmenin në aplikacionin Viber me një numër të paregjistruar dhe i ishin prezantuar si miku i ngushtë i Tonin Marinajt, kryetarit të bashkisë në Malësi e Madhe.
Të arrestuarit i kanë kërkuar shumën prej 40 mijë euro, me pretendimin se do ua çonin Marinajt dhe do ia kthente brenda pak ditësh. Sipas biznesmenit, paratë ua ka dhënë me mirëbesim dhe në mbrëmje pasi ka marrë Tonin Marinajn në telefon për ta pyetur nëse i kishte marrë paratë, ka kuptuar se ishte mashtruar. Pasi bëri kallëzimin në polici, autorët u identifikuan nga kamerat e një biznesi pranë Rinasit, ku edhe ishin dhënë paratë.