Masteri i Lëndëve Paraklinike, interes i lartë nga studentët në Universitetin e Shkodrës

Kanë nisur regjistrimet për programin Master në Lëndët Paraklinike në Universitetin e Shkodrës. Programi vijon të tërheqë interesin e studentëve, ndërsa drejtuesit e departamentit e konsiderojnë një prej programeve të kërkuara në fushën e shërbimeve shëndetësore dhe psikosociale. Shefi i departamentit shprehet se interesi për këtë program ka qenë i qëndrueshëm, ndërsa vitin e kaluar universiteti vendosi të rrisë numrin e kuotave për shkak të kërkesës së studentëve.
“Është një master i cili është i kërkuar dhe i lakmueshëm nga studentat. Çdo vit kemi mbi 70 studentë. Besoj që edhe këtë vit është e njëjta situatë. Është një master gjithëpërfshirës, një master që i referohet më tepër problemeve psikosociale”, tha Julian Kraja, Shef i Departamenti i Lëndëve Paraklinike.
Një ndër arsyet që ky program vijon të jetë i kërkuar lidhet edhe me zhvillimin e shërbimeve psikosociale. Nevoja për profesionistë të përgatitur në këtë fushë po merr gjithnjë e më shumë vëmendje, duke rritur edhe interesin për formimin akademik në këtë drejtim.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/