“Match-Maker Albania 2025”, Rama: Është koha për të investuar në çdo fushë në Shqipëri

Në eventin për bizneset, “Match-Maker Albania 2025”, Kryeministri Edi Rama theksoi mundësitë e mëdha për investime në Shqipëri, duke u shprehur se kjo është koha e duhur për të investuar në vend.
Mbi 1000 pjesëmarrës nga 37 shtete, përfshirë investitorë, agjenci të zhvillimit dhe eksportues shqiptarë, morën pjesë në eventin që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve.
Rama nënvizoi se Shqipëria po lulëzon dhe ofron mundësi të shkëlqyera për investime, veçanërisht në fushat e turizmit, pasurive të paluajtshme dhe infrastrukturës.
Ai bëri thirrje për investime në çdo sektor, duke theksuar se “nesër do të jetë vonë dhe çmimet do të rriten.”
Kryeministri u shpreh se për ata që investojnë tani, mundësitë janë të mëdha, veçanërisht në sektorin e maleve, të cilin e cilësoi si një mundësi përfitimi të madh në të ardhmen.
“Për këdo që ka ardhur duhet të kuptojë që kjo është koha për të investuar në Shqipëri, për të blerë qoftë edhe një gur në Shqipëri, pasi nesër do të jetë vonë. Nesër të gjithë do të duan të vijnë dhe të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush. Është një kohë kur Shqipëria po nis të lulëzojnë dhe e njohur për potencialin dhe mundësitë që ka. Jemi një vend i mirë për të investuar në çdo fushë dhe për të bërë bashkë aktorë lokalë dhe aktorë ndërkombëtarë të biznesit. Investimet janë të fokusuara në det apo qytete, por po ju them se më e mira e investimeve është në male. Çdo investim që behet sot në male do të shpërblehet shumëfish në një të ardhme të afërt”, tha Rama.
Ky event është një mundësi për të promovuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare dhe për të krijuar bashkëpunime të reja me kompani globale.
/rtsh.al/