Mazniku: Protestat, shenjë e një demokracie të shëndetshme; Boçi: Qeveria shmang ballafaqimin me qytetarët

TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, deputeti i Partisë Socialiste Arbjan Mazniku komentoi sot nga Korça protestat e zhvilluara kundër investimit në Zvërnec, ndërsa theksoi se protestat qytetare janë një formë demokracie.
Në një prononcim për mediet, Mazniku u shpreh se “Shqipëria është një vend i lirë dhe njerëzit kanë mendime të ndryshme, debatojnë, diskutojnë dhe zhvillojnë”.
“Sot jemi për një dëgjesë për reformën territoriale që është pjesë e të njëjtit proces. Një procesi me mekanizmat që demokracia ka, të gjitha ato, nga dëgjesat te parlamenti, te zgjedhjet, te protestat, te peticionet, te diskutimet. Kjo në fakt është shenjë e një demokracie të shëndetshme, ku të gjitha këto gjëra funksionojnë. Kemi një diskutim mes të gjitha palëve dhe në fund fare, me mekanizmat që prapë demokracia ka, çështjet zgjidhen me zgjedhjet”, u shpreh ai.
Mazniku theksoi se detyra e mazhorancës është të jetë e qartë me vizionin që ka dhe të ecë përpara drejt forcimit të Shqipërisë.
“Ne kemi një mazhorancë e cila ka një mandat për të qeverisur Shqipërinë. Dhe pjesë e këtij mandati është të bëjë ato ndryshime që i duhen Shqipërisë për ta bërë më të mirë, më të fortë dhe për ta bërë më të përgatitur për faktin që në dy vjet ne mbyllim negociatat me Bashkimin Evropian dhe në tre-katër vjet Shqipëria do të jetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Ndaj dhe besoj që brenda të gjithë elementeve normalë të demokracisë, detyra e mazhorancës është të jetë e qartë me vizionin që ka dhe të ecë përpara drejt forcimit të Shqipërisë, bashkive të Shqipërisë dhe bërjes gati të të gjithë elementeve, përfshirë shoqërisë sonë, për të qenë një vend anëtar i Bashkimit Evropian”, tha ai.
PS, sipas tij, “ka një marrëveshje me qytetarët të cilën po e ndjek me shumë vëmendje dhe me agjendë për përmirësimin e vendit”.
“Është shumë e rëndësishme që njerëzit në demokraci kanë të drejtën të thonë mendimin e tyre dhe është pjesë thelbësore e një demokracie. Dhe duhet gjithmonë të kujtojmë një gjë: që sot jemi në një situatë ku njerëzit kanë të drejtën e tyre të protestojnë, të thonë mendimin e tyre, të organizohen, të grupohen në mënyrën se si e thonë mendimin e tyre dhe kjo gjë është krejt normale. Duhet të kemi parasysh që jo shumë larg në kohë, në kohë ekzistuese, kur njerëzit ishin në shesh, vriteshin”, theksoi ai.
Ndërsa kujtoi 21 janarin, Mazniku theksoi se “sot jemi në një situatë ku demokracia shqiptare është në një nivel tjetër dhe njerëzit kanë të drejtën e vetë ta thonë mendimin e tyre”, përfundoi Mazniku.
Ndërsa bashkëkryetari demokrat i komisionit, Luçiano Boçi u shpreh se qeverisja e tanishme shmang ballafaqimin me qytetarët.
Boçia theksoi se “kjo dëgjesë dhe çdo fjalë e qytetarëve brenda në sallë është një formë e të protestuarit për gjithë ato probleme që ata gjenden sot në shesh”.
“E mirëpresim fjalën e qytetarëve, sepse kjo qeverisje ka një gjë, shmang ballafaqimin me qytetarët”, tha Boçi.
I pyetur lidhur me thirrjet e protestuesve për largimin e Sali Berishës, Boçi u shpreh se “lufta ndaj opozitës përgjatë shumë viteve ka qenë dhe në formën e bërjes së opozitës ndaj opozitës, ndaj PD-së”.
“PD-ja është sulmuar në forma juridike, politike, zgjedhore dhe këto forma janë kaq të lehta. Ka rryma aty brenda që duan të përfitojnë kapital politik, marrin autoritetin e opozitës dhe gjejnë këtë formë për të lëshuar ndonjë thirrje, ndonjë parrullë që nuk na afekton. E rëndësishme është që të gjithë qytetarët janë aty për një qëllim, për një emërues të përbashkët që është largimi i kësaj qeverie dhe largimi i Ramës”, shtoi Boçi.