Mbahet ceremonia në Varrezat e Ushtarakëve Francezë në Korçë

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Në Varrezat e Ushtarakëve Francezë në Korçë u mbajt sot një ceremoni solemne në nder të ushtarëve francezë të cilët humbën jetën gjatë Luftës së Parë Botërore në Shqipëri.
Në ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes, Dorian Tola, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nick Abbott si edhe personalitete të qarkut dhe të sferës frankofone në vend.
Ministria e Mbrojtjes thekson në një mesazh se “vlerat mbi të cilat është ngritur sakrifica e tyre na bëjnë bashkë, si gjithmonë, por sot më shumë se kurrë, për të përforcuar bashkëpunimin tonë për paqe e stabilitet”.
Në varrezat e Ushtarakëve Francezë në Korçë prehen eshtrat e ushtarëve të rënë për Francën nga viti 1916 deri në vitin 1918 në Shqipëri. Varreza është ndërtuar në vitin 1938 dhe aty gjenden trupat e 640 ushtarëve francezë të këmbësorisë koloniale të Ushtrisë së Lindjes. /j.p/
1 nga 7