Mbahet protesta e 34-t në Tiranë, apel për shmangien e përplasjeve dhe lirimin e të arrestuarve

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Në Tiranë ka vijuar për të 34-tën ditë radhazi protesta e qytetarëve e cila nisi kundër investimit në Zvërnec dhe në vijim u publikuan edhe kërkesa të tjera nga nismëtarët.
Si çdo pasdite, qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Një prej nismëtarëve të protestës, Arben Kola, u bëri thirrje protestuesve që të mos sulmojnë gazetarët dhe operatorët, për të shmangur përplasjet, siç ndodhën një ditë më parë.
Gjatë marshimit, protestuesit kanë bërë thirrje për lirimin e personave të arrestuar një ditë më parë pas përplasjeve të dhunshme me policinë përpara Kuvendit.
Me pankarta në duar, ata kërkojnë gjithashtu largimin e kastës së vjetër politike, ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për vijimin e protestës në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa në ditët e fundit tubimi është zhvendosur edhe në formë marshimesh në disa prej akseve kryesore të Tiranës.
Gjatë tubimit, protestues dhe aktivistë kanë lexuar deklarata dhe kanë bërë thirrje publike lidhur me përplasjet e ditëve të fundit.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se, Policia e Shtetit ka përdorur “forcë joproporcionale” gjatë protestës së një dite më parë përpara Kuvendit, duke theksuar se dhuna është ushtruar edhe ndaj personave të neutralizuar. Ajo u shpreh se policia “nuk duhet të shndërrohet në instrument politik” dhe kërkoi që protestuesit e ndaluar të lirohen.
Një nga protestuesit, gjatë fjalës së tij në shesh, tregoi një histori personale duke thënë se prej 30 ditësh nuk komunikon me familjen pas përplasjeve për pjesëmarrjen e tij në protestë. Ai theksoi se pavarësisht tensioneve familjare dhe presionit social, do të vijojë të marrë pjesë në tubime.
Aktivistja Arvina Lleshi lexoi një deklaratë të pretenduar nga shoqata shqiptare me seli në Mbretërinë e Bashkuar, ku shprehej mbështetje për protestat dhe dënohej përdorimi i forcës nga policia. Në deklaratë kërkohej gjithashtu transparencë më e madhe institucionale dhe dialog me shoqërinë civile.
Ndërkohë, aktivistja Luçiana Kokaj tha se protestuesit kanë marrë mbështetje nga forca politike europiane dhe institucione ndërkombëtare, duke theksuar se sipas saj janë dënuar veprimet e policisë gjatë protestave.
Një tjetër protestuese kërkoi lirimin e personave të arrestuar gjatë tubimeve, duke i cilësuar ndalimet si të padrejta dhe duke bërë thirrje për krijimin e një qeverie provizore dhe ndryshim të sistemit politik.
Aktivisti Edison Lika paralajmëroi vijimin e protestës, duke deklaruar se ditën e nesërme pritet pjesëmarrje më e gjerë nga shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, ndërsa e cilësoi grumbullimin e paralajmëruar si “një dasmë të madhe” në shesh.
Pas qëndrimit para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin e tyre me destinacion te Komisariati nr. 3, ku ndodhen të arrestuarit nga protesta e djeshme para parlamentit.
Protesta 34 kundër investimit në Zvërnec; Fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 19/gj.m/r.e/