E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mberrin ne Atdhe trupi i Feti Voglit

Rreth orës 03:00 të mëngjesit të ditës së premte, i mbuluar me flamurin kombëtar, ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, trupi i komandos së vrarë në Afganistan, Dëshmorit të Atdheut, Kapiten Feti Voglit.

Në ceremoninë në aeroportin e Rinasit, përveç familjarëve, të pranishëm kanë qenë zyrtarë të lartë të Ushtrisë si dhe Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.

Nga Rinasi, trupi i Feti Voglit u dërgua për në banesën e familjes së tij në fshatin Baldushk të Tiranës.

Homazhet për kapitenin e vrarë në Afgansitan do të kryhen gjatë ditës së premte në Pallatin e Kongresve.

Kapiten Feti Vogli, pjesë e trupave paqeruajtës të misionit të NATO-s në Afganistan, humbi jetën gjatë një sulmi në Kandahar, kur njësia e tij u qëllua ditën e hënë nga persona me uniformë të policisë afgane. Nga sulmi ku Vogli humbi jetën mbeti i plagosur rëndë edhe një tjetër komando shqiptar, nëntetar Aleksandër Peçi.

Kush ishte Kapiten Feti Vogli?

Kapiten Feti Vogli, i lindur më 23, maj 1981, në fshatin Baldushk të rrethit të Tiranës, është i martuar dhe ka një vajzë 2 vjecare.

Pas mbarimit të Akademisë Ushtarake, në specialitetin Artileri Toksore u bë pjesë e Forcave të Armatosura, me detyrë komandant Toge në Brigadën e Stërvitjes të Bazës Bunavi.

Pas kryerjes me sukses të kursit Bazë të Forcave Speciale më datë 16.07.2005 është bërë pjesë e Batalionit të Forcave Speciale me detyrë Komandant Grupi.

Nga data 1.06.2010 kryente detyrën e komandantit të Grupit të Parë Special në kompaninë e Aksioneve Speciale Ujore.

Kapiten Feti Vogli ishte një ushtarak kariere i shkëlqyer dhe si rezultat i arritjeve në detyrë është dekoruar disa herë me medalje ndryshme si, Medalja e Karierës. Medalja për Shërbime Ndërkombëtare. Medalje për shërbime të Shquara nga ministri i Mbrojtjes në vitin 2010.

Nga data 16.012012 është dërguar me mison luftarak “EAGLE 4” në përbërje të Batalionit të Forcave Speciale në Kandahar të Afganistanit. 
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›