Mbështetës të opozitës sulmojnë me molotovë Kryeministrinë dhe Bashkinë e Tiranës

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Disa molotovë janë hedhur drejt godinës së Kryeministrisë nga protestuesit e opozitës.
Molotovët u hodhën teksa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha po mbante fjalimin për mbështetësit.
Mes protestuesve të opozitës, janë parë edhe të rinj me maska të zeza. Ndërkohë policia u bëri thirrje protestuesve që ta ndërpresin sulmin.
“Të nderuar qytetarë, ruani qetësinë, ndërprisni sulmin me bomba molotov ndaj policisë dhe institucioneve. Organizatorët e protestës të marrin masa të largohen nga protesta personat e dhunshëm e të maskuar,” apeloi policia e pranishme, për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.Policia ka ndërhyrë menjëherë për të shuar zjarrin e shkaktuar në hyrjen kryesore të godinës së Kryeministrisë.
Protesta është mbyllur pas dy orësh tek Kryeministria dhe mbështetësit e opozitës u zhvendosën në drejtim të Bashkisë së Tiranës ku hodhën molotovë në drejtim të godinës.
Një prej molotovëve ka rënë në afërsi të efektivëve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.
Protestuesit janë përplasur edhe me Policinë, pasi turma tentoi të çajë kordonin e efektivëve të Policisë së Shtetit.
Ndalesa e protestuesve të opozitës përballë Bashkisë së Tiranës është mbyllur pas më shumë se 30 minuta, që u karakterizua nga hedhja e molotovëve dhe përplasja me efektivët e Policisë.
Protestuesit të dfejtuar nga kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, nënkryetarët Flamur Noka dhe Luciano Boçi si dhe sekretari organizativ Kelvis Balliu, iu drejtuan Kuvendit të Shqipërisë dhe e përmbyllën protestën te godina e PD-së.
Flamur Noka tha se protesta ishte madhështore dhe qytetarët folën qartë. “Duhet qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme”, tha ai.
“Ne na morën flamurin, logon dhe partinë. Ne treguam që qëndrojmë, luftojmë dhe fitojmë”, tha Noka.
“Opozita është në këmbë, vijon në këmbë. Qëllimi është lirimi i liderit të opozitës dhe qeveri teknike”, u shpreh Noka. Ai tha se opozita është e bashkuar dhe i gjithë faktori opozitar është bashkë.
Protesta e opozitës u mbyll pas gati 3 orësh.
1 nga 26/r.e/