Mbështetet nga opozita, Binaj: Në garë për të përfaqësuar qytetarët e Tiranës

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, dhe i mbështetur nga Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare, Florjan Binaj, tha se gjatë fushatës elektorale nuk do të dalë me asnjë kryetar partie të opozitës. Ai theksoi se në fletën e votimit do jetë e shënuar kandidat i pavarur.
Gjatë një interviste për mediet, Binaj u shpreh se “nuk kam hyrë në garë për të përfaqësuar opozitën, por qytetarët e Tiranës. Qytetarët nuk i ndaj sipas ngjyrave të partive, nëse ajri është i pastër është i pastër për të gjithë. Nëse ka trafik, ka për të gjithë”.
Binaj tha se me kreun e PD-së Sali Berisha nuk kishte komunikuar, teksa shtoi se “nuk do të dal me asnjë kryetar partie nga ato që më kanë mbështetur në fushatë, as me Berishën. Nuk do të shoqërohem në fushatë, i kam kërkuar të sjellin grupe pune, por me asnjë kryetar partie opozite. Edhe tek fleta e votimit do të jetë kandidat i pavarur, do e kërkojmë në KQZ këtë”.
Binaj u shpreh se “partitë opozitare hapën dyert dhe e lanë sheshin e valles bosh, që dikush ta marrë përsipër. Unë dola që të nxis edhe të tjerë që janë si unë, ka ardhur koha që përfaqësuesi të jetë si qytetari-qytetarit, jo si dikush i punësuar nga partia”.
Binaj shtoi se “si kandidat i pavarur dhe i mbështetur nga opozita, jam i gatshëm të bëjmë një debat qytetar me zonjën Manastirliun”.
Ai tha se do bëjë një studim për të parë se çfarë vërtetë i duhet qytetit, teksa shtoi se do të kërkojë të kthej referendumet e vogla komunitare.
“Do bëhet një studim për të parë se çfarë ka nevojë ky qytet. Do kthej referendumet e vogla komunitare, do ishte shumë mirë”, tha ai.
/m.q/a.f/